Transmetuar më 24-04-2026, 13:04

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një futbollist amator 25-vjeçar ka humbur jetën pas një përplasjeje të dhunshme që, sipas mediave italiane, dyshohet se ka nisur për një konflikt banal lidhur me disa pica.

Viktima, Gabriele Vaccaro, i cili kishte luajtur në ekipe të kategorive të ulëta, po kthehej në orët e para të mëngjesit së bashku me dy miq, kur janë përballur me një grup prej pesë të rinjsh në zonën e Parias.

Dyshohet se përplasja ka nisur pasi të rinjtë u kanë kërkuar atyre të dorëzonin picat që kishin me vete, duke çuar në një konflikt që ka degjeneruar në dhunë fizike.

Gjatë sherrit, 25-vjeçari është goditur me një mjet prerës në zonën e qafës dhe barkut. Fillimisht, miqtë e tij nuk e kanë kuptuar seriozitetin e plagëve dhe e kanë dërguar në banesë, por më pas është kërkuar ndërhyrja e emergjencës. Ai është transportuar në spital, ku ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Autoritetet italiane kanë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje, mes tyre dy shtetas shqiptarë me nënshtetësi italiane dhe një 17-vjeçar me origjinë egjiptiane, i cili dyshohet si autori i goditjes fatale. Një nga miqtë e viktimës është plagosur lehtë dhe ka marrë trajtim mjekësor.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit