Transmetuar më 24-04-2026, 13:05

Ish-drejtori i ARRSH paraqitet në SPAK, nën hetim për shkelje të barazisë në tendera

Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është paraqitur këtë të premte në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Burime bëjnë me dije se paraqitja e tij lidhet me hetimet që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme për procedura tenderimi gjatë kohës që ai drejtonte ARRSH-në. Ndaj Gjylit rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”, e kryer dy herë në bashkëpunim.

Sipas të dhënave paraprake, hetimet janë fokusuar në disa procedura prokurimi në sektorin e infrastrukturës rrugore, ku dyshohet për favorizim të operatorëve të caktuar ekonomikë dhe mosrespektim të rregullave të konkurrencës së barabartë.

Gentian Gjyli ka mbajtur postin e drejtorit të ARRSH gjatë viteve të fundit dhe ka qenë përgjegjës për menaxhimin e projekteve të rëndësishme rrugore në vend. Deri më tani, ai nuk ka dhënë një deklaratë publike lidhur me akuzat.

Më 20 nëntor 2025 hetimi i SPAK për procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Tiranës bëri që të caktohen masa sigurie për të pandehurit e çështjes.

Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi atëherë se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”.

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, me fond limit 2,096,958,794,70 lekë pa TVSH, ka rezultuar se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave.

E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k.

Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal :

Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku.

Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit