

Monika Kryemadhi ka folur për marrëdhënien e saj me Ilir Metën, duke theksuar respektin që ende ruan për vitet e kaluara së bashku si partnerë.
E ftuar në emisionin “Breaking” në Top News me Fiori Dardhën, Kryemadhi u shpreh se 33 vitet e bashkëjetesës me Metën kanë qenë ndër periudhat më të rëndësishme dhe më të bukura të jetës së saj, pavarësisht sfidave dhe betejave të përbashkëta.
“Më thuaj ti një femër që nuk mban mend puthjen e parë. Unë nuk mund të mohoj 33 vite jetë me Metën, nuk kanë qenë të tmerrshme, por shumë të bukura. Ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Me Metën kam kaluar shumë sfida, shumë beteja, disa i fituam, disa u humbën. Unë nuk mund të mohoj çdo gjë. Kjo që jam, jam për shkak të bashkëjetesës sime me të. Ai ishte shumë tolerant, më linte të bëja çfarë të doja, nuk kam pasur kurrë kontroll. Ne në jetën tonë kemi bërë a s’kemi bërë 5 herë pushime familjare”, u shpreh ajo.
Kryemadhi shtoi se ndjen keqardhje për kohën e humbur larg familjes dhe fëmijëve, ndërsa theksoi se ende ruan respekt për Metën.
“Të gjithë ata që kanë ndërtuar këtë lloj skeme… ata i thanë në fillim Metës, që në telefonin e Monikës kemi gjetur një të dashur, pra ‘Monika ka të dashur’. Unë thoja që të kesh të dashur duhet të kesh kohë njëherë. Meta kishte ikur nga shtëpia atëherë. Thonin që unë kam të dashur. I kishin çuar Metës mesazhet e mia me ‘Zemra ime’. Unë Metën e kisha të regjistruar në telefon me ‘Zemra ime’”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo shtoi gjithashtu se, sipas saj, ka pasur manipulime në mënyrën se si janë interpretuar komunikimet dhe marrëdhëniet e tyre, duke i cilësuar si të padrejta dhe të ndikuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






