Transmetuar më 24-04-2026, 12:08

TIRANË- Policia ka goditur një tjetër rast të trafikut të dyshuar të armëve në kryeqytet. Në kuadër të operacionit, “Barriera" është vënë në pranga Ligor Mehmeti që shikoni në foto.

Burri 48-vjeçar është arrestuar në flagrancë në zonën e Tufinës teksa po udhëtonte me një automjet ku kishte të fshehura dhe armët.

Blutë njoftojnë se në makinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri, 2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake me qëllim shitjen e tyre në zonën e Freskut dhe të Tufinës.

Po ashtu raportohet, se pistoletat do të shiteshin me vlerën 1500 euro secila, ndërsa arma taktike për 8000 euro.

Mehmeti prej kohësh dyshohet i përfshirë në trafikun e armëve. Sakaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Barriera". Goditet një rast i tentativës për të shitur armë zjarri. Sekuestrohen 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake). Arrestohet 48-vjeçari që i posedonte armët, me qëllim shitjen. Ai u kap në flagrancë, në Tufinë, duke i transportuar armët, me automjet.

Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”. Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij. Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posesonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit