Transmetuar më 24-04-2026, 11:45

Gjykata e Tiranës ka lënë në masën “arrest me burg” 14 nga 15 personat e arrestuar në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar ditët e fundit në kryeqytet. Ndërkohë, për një prej të arrestuarve, Ilir Baruti, është caktuar masa “arrest shtëpie” për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore.

Në total, për këtë çështje janë lëshuar 36 urdhër-arreste. Prej tyre, 15 persona u ndaluan gjatë operacionit, ndërsa 5 të tjerë ishin arrestuar më herët. Aktualisht, 14 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Sipas hetimeve, të dyshuarit janë të përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht kanabis dhe kokainë, me aktivitet të shtrirë në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë edhe afër institucioneve arsimore.

Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për një sërë të dyshuarish, mes tyre Arsen Shahollari, Visar Alla, Xhemal Gjoka (Boja), Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli.

Gjatë operacionit policia ka sekuestruar rreth 60.3 kilogramë kanabis, 2.05 kilogramë kokainë, katër armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe shuma të konsiderueshme parash: 121 mijë euro, 6 milionë lekë dhe 5 mijë paund, së bashku me celularë dhe sende të tjera të dyshuara si prova materiale.

Hetimet vijojnë për kapjen e personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit