Transmetuar më 24-04-2026, 09:58

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë të mitur në kuadër të hetimeve për zjarrin që përfshiu një pallat shumëkatësh, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Sipas burimeve hetimore, fëmijët janë identifikuar nga kamerat e sigurisë, ku shfaqen duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet të ketë qenë vatra fillestare e zjarrit. Të miturit, banorë të kompleksit, janë pyetur në prani të prindërve dhe psikologëve.

Në dëshmitë e tyre, ata kanë deklaruar se nuk kanë vepruar me qëllim, duke sqaruar se pranë karrocës ndodhej një material i djegshëm dhe mbeturinat ishin vendosur afër një kondicioneri.

Ndërkohë, prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, përfshirë këqyrje të detajuara në vendngjarje dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se akt-ekspertimi teknik ende nuk ka përfunduar. Më herët, policia ka arrestuar katër shtetas – Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna – të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.

Për katër të dyshuarit, Gjykata Penale ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Sipas pamjeve të sekuestruara në vendngjarje, zjarri është përhapur me shpejtësi të lartë, duke përfshirë fasadën e pallatit brenda pak sekondash dhe duke shkaktuar dëme në 71 banesa.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit