

Euro ka vijuar rënien në tregun vendas, duke arritur një nivel të ri historik poshtë 95.5 lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane është këmbyer me 95.49 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar me rreth 1.3% kundrejt lekut, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia arrin në 3.3%.
Aktorët e tregut valutor vlerësojnë se tremujori i dytë ka thelluar më tej presionet nënçmuese mbi monedhën europiane, një zhvillim i pritshëm kryesisht si pasojë e rritjes sezonale të flukseve valutore nga turizmi. Ky faktor ka shtuar ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion në ulje mbi kursin e këmbimit.
Gjatë vitit 2026, leku ka shfaqur një forcim të qëndrueshëm, që u evidentua që në tremujorin e parë – një dinamikë jo tipike krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo prirje lidhet me një kombinim faktorësh, ku dominojnë oferta e lartë e valutës dhe kërkesa relativisht e dobët për të.
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në treg, përmes blerjes së euros, me synim frenimin e mbiçmimit të lekut dhe rritjen e rezervës valutore. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar banka qendrore bleu rreth 1.027 miliardë euro, një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë.
Për vitin aktual, institucioni parashikon të vijojë me blerjet e planifikuara në tregun e brendshëm, duke synuar një volum prej 330 deri në 450 milionë euro përmes ankandeve, në funksion të forcimit të rezervave valutore.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjeve dhe rritjes së ofertës monetare në lekë gjatë fundit të vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026, monedha vendase ka vijuar të forcohet, duke mbajtur në rënie të vazhdueshme kursin e euros.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






