Transmetuar më 24-04-2026, 07:30

Gjatë vitit 2025, shkeljet në fushën e sigurisë në punë janë shndërruar në një kosto të drejtpërdrejtë për bizneset shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, janë vendosur 268 masa administrative në formë gjobash, me një vlerë totale prej 64.5 milionë lekësh.

Pas këtij presioni administrativ qëndron një problem më i thellë strukturor. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 275 aksidente në punë, nga të cilat 212 persona kanë mbetur të lënduar dhe 48 kanë humbur jetën. Këto shifra konfirmojnë se siguria në vendin e punës vijon të mbetet një nga pikat më të dobëta të tregut të punës në vend.

Sektorët më problematikë, sipas raportit vjetor të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, janë ata me intensitet të lartë të punës fizike dhe me nivel më të ulët formalizimi, si ndërtimi, industria përpunuese dhe një pjesë e sektorit të shërbimeve. Në këto fusha, shkeljet lidhen kryesisht me mungesën e pajisjeve mbrojtëse, mosrespektimin e standardeve teknike dhe mungesën e trajnimeve për punonjësit, duke rritur ndjeshëm ekspozimin ndaj rrezikut.

Rritja e numrit të aksidenteve ka sjellë edhe një reagim më të ashpër nga autoritetet. Kontrollet e kryera pas aksidenteve janë shtuar me 23% dhe në çdo rast janë shoqëruar me masa administrative, shpesh të shumëfishta për të njëjtin subjekt, çka tregon një qasje më të fortë ndëshkuese.

Ndërkohë, shkalla e raportimit nga bizneset ka arritur në 96%, një tregues që sinjalizon rritje të transparencës, por edhe përhapje të gjerë të fenomenit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në total, gjatë vitit janë inspektuar 9,532 subjekte dhe janë verifikuar mbi 205 mijë vende pune, duke evidentuar një problematikë që nuk kufizohet në sektorë të izoluar, por shtrihet në një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik.

Efektet ekonomike të aksidenteve janë të shumëfishta. Për bizneset, ato përkthehen në ndërprerje të aktivitetit, ulje të produktivitetit dhe kosto shtesë për kompensime apo penalitete. Për shtetin, rritet presioni mbi sistemin shëndetësor dhe skemat e sigurimeve shoqërore, ndërsa zvogëlohet kontributi aktiv i fuqisë punëtore.

Megjithatë, raporti thekson se një pjesë e bizneseve vijojnë ta trajtojnë sigurinë në punë si një kosto për t’u minimizuar dhe jo si një investim për të ulur rrezikun. Në praktikë, kjo qasje po rezulton gjithnjë e më e kushtueshme, pasi aksidentet dhe pasojat e tyre financiare po rëndojnë mbi vetë aktivitetin ekonomik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit