

VATIKAN – Papa Leon XIV ka dënuar aktet e dhunës dhe vrasjet e protestuesve në Iran, duke shprehur keqardhje edhe për dështimin e bisedimeve të paqes mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Teheranit.
Në deklaratat e tij, Papa theksoi se si përfaqësues fetar nuk mund të mbështesë asnjë formë lufte, duke nënvizuar se konflikti ka sjellë humbje të shumta të jetëve të pafajshme.
“Unë dënoj të gjitha aktet e padrejta dhe marrjen e jetës njerëzore,” u shpreh ai, duke shtuar se bota ka parë shumë viktima të pafajshme në konfliktet e fundit.
Papa Leon XIV gjithashtu ngriti shqetësimin për trajtimin e emigrantëve dhe refugjatëve, duke kritikuar qasjen e ashpër ndaj tyre dhe duke bërë thirrje për respektim të dinjitetit njerëzor.
Ai theksoi se migrantët shpesh trajtohen në mënyrë çnjerëzore, pavarësisht se largohen nga dhuna apo varfëria, dhe kërkoi një qasje më humane nga shtetet pritëse.
Në reagimin e tij, Papa komentoi edhe për tensionet në Lindjen e Mesme, duke përmendur viktimat civile në konfliktet e rajonit, përfshirë edhe fëmijët e prekur nga sulmet në zonat e luftës.
Deklaratat e Papa Leon XIV vijnë në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë debatet për mënyrën e zgjidhjes së krizave në Iran dhe rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






