Transmetuar më 23-04-2026, 21:14

TIRANË – Opozita ka braktisur sallën e Kuvendit pas vendimit të kryeparlamentarit Niko Peleshi për të përjashtuar deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.

Vendimi nxiti reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët e cilësuan masën si të padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtën për fjalë. Deputeti Belind Këlliçi deklaroi se largimi nga salla ishte një akt solidariteti ndaj kolegut të tyre.

“Do të largohemi në shenjë solidariteti nëse nuk i jepet fjala deputetit Boçi. Nëse nuk rikthehet normaliteti dhe nuk respektohet e drejta e replikës, kemi vendosur të braktisim seancën”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbrojti vendimin, duke theksuar se masa disiplinore ndaj Luçiano Boçi nuk ishte marrë në mënyrë të nxituar, por në përputhje me rregulloren parlamentare.

Sipas tij, deputeti nuk kishte kërkuar fjalën për replikë sipas procedurës, por kishte zënë foltoren dhe kishte përdorur gjuhë të papërshtatshme. Peleshi u bëri thirrje deputetëve të mos solidarizohen me shkeljen e rregullores dhe të vijojnë normalisht punimet e seancës.

Çfarë deklaroi Boçi?

Në seancën plenare të Kuvendit, gjatë debatit për projektligjin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA)”, kryetari i Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Luciano Boçi, ngriti akuza të forta ndaj ministres Mirela Kumbaro, duke e cilësuar nismën si në kundërshtim me standardet e Bashkimit Europian dhe të kapur nga interesat politike.

Në fjalën e tij, Boçi deklaroi se ekziston një konflikt i hapur interesi, duke theksuar lidhjet institucionale të ministres me një fondacion që, sipas tij, përfshihet në strukturat vendimmarrëse të agjencisë së re.

“Ligji shqiptar e parashikon qartë konfliktin e interesit edhe në nivel institucional. Nuk mund të ndodhë që një fondacion me lidhje të tilla të ketë rol kyç në një bord ku merren vendimet kryesore,” u shpreh ai.

Sipas Boçit, projektligji cenon rëndë parimin e pavarësisë institucionale, pasi i jep ministrit kontroll të plotë mbi drejtimin e agjencisë, nga emërimi i drejtuesve dhe bordit, deri tek miratimi i vendimeve kryesore. Ai theksoi se kjo bie ndesh me standardet e BE-së, të cilat kërkojnë që agjencitë që administrojnë provime, vlerësime dhe njohje diplomash të drejtohen nga struktura të pavarura, të zgjedhura nga komuniteti akademik.

Boçi ngriti shqetësime edhe për transparencën dhe llogaridhënien, duke argumentuar se projektligji parashikon që raportet dhe auditimet të kontrollohen nga vetë ministria, në kundërshtim me praktikat europiane ku këto procese janë të pavarura dhe publike.

Një tjetër kritikë lidhej me administrimin e të dhënave arsimore. Sipas tij, projektligji i jep ministrisë kontroll mbi të dhëna sensitive, duke shkelur ndarjen e funksioneve dhe standardet e BE-së për menaxhimin e tyre nga agjenci të specializuara dhe të pavarura.

Ai kundërshtoi gjithashtu përfshirjen e donatorëve në vendimmarrje dhe konceptin e vetëfinancimit të agjencisë, duke theksuar se institucionet e këtij lloji nuk duhet të funksionojnë si struktura fitimprurëse.

Në fund të fjalës së tij, Boçi i drejtoi një pyetje direkte ministres: cili vend i Bashkimit Europian ka një model të tillë “mega-agjencie” të centralizuar? Sipas tij, nga kërkimet e tij nuk ekziston një precedent i tillë në BE.

“Ose na sillni një shembull konkret nga BE, ose ky projektligj mbetet një eksperiment që shkon në drejtim të kundërt me integrimin europian,” përfundoi ai.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit