

GREQI – Dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas grek janë lënë në burg nga autoritetet në Greqi, pasi akuzohen për shantazh ndaj një biznesmeni, të cilit i kanë kërkuar deri në 200 mijë euro.
Sipas mediave greke, dy shqiptarët, përkatësisht 43 dhe 34 vjeç, kanë mohuar akuzat gjatë dëshmisë së tyre para autoriteteve. Në këtë çështje dyshohet të jetë i përfshirë edhe një tjetër shtetas shqiptar, 48 vjeç, i cili ndodhet në burg dhe akuzohet se ka koordinuar veprimtarinë kriminale nga brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Hetimet tregojnë se ky i fundit ka kontaktuar biznesmenin përmes telefonit, duke i kërkuar shumën prej 200 mijë eurosh dhe duke e kërcënuar me jetë. Më pas, autorët dyshohet se kanë sulmuar automjetet dhe ambientet e biznesit të tij me mjete shpërthyese artizanale.
Fillimisht, shuma e kërkuar ka qenë 200 mijë euro, por më vonë është ulur në 100 mijë euro gjatë komunikimeve të mëtejshme përmes një personi që kishte marrë rolin e ndërmjetësit. Gjithashtu, dy persona të maskuar, të lëvizur me motoçikletë, kanë kërcënuar një punonjës të biznesit me qëllim ushtrimin e presionit ndaj viktimës.
Pas kallëzimit të biznesmenit, policia organizoi një operacion të kontrolluar, gjatë të cilit u simulua dorëzimi i një shume prej 50 mijë eurosh. Në momentin e marrjes së parave, forcat e rendit ndërhynë dhe arrestuan të dyshuarit, pavarësisht rezistencës së tyre.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 11 armë zjarri me fishekë, gjashtë telefona celularë dhe një shumë prej 2,580 eurosh. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






