

TIRANË – Një debat me nota ironie është zhvilluar në Kuvend mes deputetit demokrat Bujar Leskaj dhe deputetes socialiste Briseida Çakërri, lidhur me funksionimin e administratës publike.
Gjatë fjalës së tij, Leskaj kritikoi përbërjen e administratës, duke e cilësuar atë si të politizuar dhe jo meritokratike. Ai u shpreh se një pjesë e konsiderueshme e saj, sipas tij rreth një e treta, përbëhet nga punonjës jo profesionistë, të emëruar mbi baza politike dhe që, sipas tij, veprojnë në mënyrë abuzive dhe selektive ndaj interesit publik.
Megjithatë, deputeti demokrat vlerësoi punën e drejtores së Shërbimit Legjislativ në Kuvend, Merita Qato, duke e cilësuar si shembull të përkushtimit dhe profesionalizmit në administratë.
Në përgjigje, deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, reagoi me ironi ndaj deklaratave të tij. Ajo nisi fjalën e saj me një “përshëndetje” për patronazhistët, duke deklaruar: “Na u shtofshin në PS”.
Shkëmbimi i replikave u zhvillua në kuadër të diskutimeve parlamentare mbi administratën publike dhe standardet e funksionimit të saj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






