Transmetuar më 23-04-2026, 19:28

DURRËS – Një kontenier me mallra të bllokuara nga autoritetet doganore në portin e Durrës është dërguar gabimisht drejt Pire, duke nxitur nisjen e një hetimi për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Sipas burimeve doganore, rreth 100 kilogramë mallra – përfshirë atlete, pantallona dhe kufje – ishin sekuestruar për verifikim në sheshin e konteinerëve, në pritje të një vlerësimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbi autenticitetin e tyre, nëse bëhej fjalë për produkte origjinale apo imitime.

Për shkak të mungesës së një magazine doganore të dedikuar, mallrat ishin vendosur përkohësisht në një kontenier bosh në fillim të muajit. Më 9 prill, autoritetet konstatuan mungesën e kontenierit dhe nisën menjëherë verifikimet për lokalizimin e tij.

Nga hetimet paraprake rezultoi se agjencia e transportit detar e kishte nisur gabimisht kontenierin drejt Pire, duke e konsideruar atë si të zbrazët. Pas identifikimit të gabimit, kontenieri është rikthyer në Durrës me anije.

Burimet bëjnë me dije se hapja e kontenierit pritet të kryhet në prani të përfaqësuesve të prokurorisë së Durrës dhe strukturave të hetimit doganor, ku do të verifikohet edhe inventari i mallrave të sekuestruara.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit