Transmetuar më 23-04-2026, 18:20

Nga Kuvendi, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro deklaroi në interpelancën e kërkuar nga opozita se provimi i shtetit për mësuesit nuk është një masë e re dhe nuk sjell largim nga puna të asnjë mësuesi.

Ajo u shpreh se detyrimi për licencimin e mësuesve bazohet në ligjin për profesionet e rregulluara të vitit 2011 dhe ligjin për arsimin parauniversitar të vitit 2012, duke theksuar se procesi është pjesë e standardizimit profesional dhe jo një vendim administrativ i ri.

Sipas Kumbaros, mësuesit që kanë qenë të punësuar para hyrjes në fuqi të ligjit për profesionet e rregulluara përjashtohen nga ky detyrim, pasi ligji nuk ka fuqi prapavepruese.

Ajo sqaroi se provimi i shtetit është një kërkesë ligjore që synon të garantojë standarde të njëjta profesionale për të gjithë mësuesit dhe jo të krijojë pasiguri në sistem.

Ministrja theksoi gjithashtu se udhëzimi i vitit 2025 nuk sjell ndryshime të reja, por vetëm ripërsërit kuadrin ekzistues ligjor, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë vendim për largimin e mësuesve nga puna.

“Nuk po hiqet askush nga puna,” u shpreh Kumbaro, duke theksuar se procesi shoqërohet me trajnim dhe komunikim për ata që ende nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit