

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Jorgo Goro dhe të pandehurve të tjerë lidhur me vendimin e fajësisë, duke e lënë atë në fuqi.
Nga ana tjetër, gjykata ka vendosur prishjen e vendimit për konfiskimin e pasurive dhe kthimin e çështjes për rigjykim.
Ish-kryebashkiaku i Himarës u rikthye në qeli më 31 mars, pas vendimit të formës së prerë të Apeli i Posaçëm i GJKKO-së, i cili konfirmoi dënimin me 2 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
SPAK kërkoi rikthimin e tij në burg, duke argumentuar se, pas llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim, Goros i mbeten për të vuajtur edhe 6 muaj e 10 ditë.
Goro u arrestua më 23 mars 2024 dhe gjatë gjithë procesit hetimor dhe gjyqësor ka kërkuar pafajësinë. Ai kishte fituar lirinë në gusht të vitit të kaluar.
Çështja për të cilën është dënuar lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës, për të cilën ishte shpallur fajtor edhe nga Gjykata e Posaçme në korrik 2025.
Më herët, ai kishte vuajtur edhe një dënim tjetër prej 17 muajsh burg, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë, nga i cili përfitoi ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






