

Një operacion i zhvilluar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar në goditjen e një aktiviteti të dyshuar mashtrimi përmes call center-ave në Tiranë.
Në aksion u angazhuan agjentë të Byroja Kombëtare e Hetimit, në bashkëpunim me Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa kontrolle u ushtruan në disa ambiente në kryeqytet.
Sipas burimeve, operacioni erdhi pas një hetimi disa mujor, i nisur edhe mbi bazën e sinjalizimeve nga autoritetet franceze.
Gjatë ndërhyrjes u arrestua shtetasi Gentjan Pjetërgjokaj, i dyshuar si organizator i aktivitetit, i cili sipas hetimeve vepronte përmes një kompanie të regjistruar në emër tjetër. Administratore e subjektit rezulton Anisa Muçollari.
Ndaj Pjetërgjokajt rëndon akuza për mashtrim me pasoja të rënda.
Në kuadër të të njëjtit operacion, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaloi edhe një efektiv policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1 në Tiranë. Atij i është sekuestruar telefoni dhe është ushtruar kontroll në banesë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e personave të përfshirë dhe për të dokumentuar aktivitetin e dyshuar kriminal.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh i goditjes së call center-ave të dyshuar për mashtrim në Tiranë. Në një operacion të mëparshëm, autoritetet goditën tre qendra të tilla, duke arrestuar disa persona dhe shpallur të tjerë në kërkim.
Sipas hetimeve të mëparshme, aktivitete të ngjashme dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të vendeve të Bashkimi Evropian, duke shkaktuar dëme financiare që arrijnë në dhjetëra milionë euro.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






