Transmetuar më 22-04-2026, 22:55

Mbi 1,000 muzikantë dhe artistë ndërkombëtarë kanë nënshkruar një letër të hapur ku kërkojnë bojkotimin e Festivalit të Këngës në Eurovizion, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në kompeticion.

Nisma është ndërmarrë nga grupet aktiviste “Pa Muzikë për Gjenocidin” dhe Fushata Palestineze për Bojkotin Akademik dhe Kulturor të Izraelit, të cilat i kanë kërkuar Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) përjashtimin e transmetuesit publik izraelit KAN nga edicioni i këtij viti.

Në letrën e hapur, artistët shprehen se lejimi i pjesëmarrjes së Izraelit për të tretin vit radhazi është i papranueshëm, duke iu referuar situatës së rëndë humanitare në Gaza dhe akuzave të ngritura ndërkombëtarisht.

“Ne refuzojmë të heshtim përballë dhunës që po shkatërron jetët e palestinezëve,” thuhet në deklaratë, ku nënvizohet se bojkotimi shihet si formë presioni moral dhe solidariteti me civilët e prekur.

Nga ana tjetër, EBU ka mbrojtur vendimin për lejimin e pjesëmarrjes së Izraelit, duke theksuar se Eurovision është një garë mes transmetuesve publikë dhe jo qeverive, dhe se eventi duhet të mbetet i ndarë nga politika.

Debati është shoqëruar edhe me tërheqje ose kundërshtime nga disa vende pjesëmarrëse, mes tyre Spanja, Irlanda, Sllovenia, Holanda dhe Islanda, të cilat kanë shprehur rezerva për zhvillimet e fundit.

Edicioni i 70-të i Eurovisionit pritet të mbahet në Vjenë, me finalen e planifikuar për 16 maj 2026, në një klimë të tensionuar që po e kthen këtë event muzikor në një nga më të diskutuarit politikisht në historinë e tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit