Transmetuar më 22-04-2026, 23:21

Evropa po përballet me një tronditje të re ekonomike, pasi pasojat e konfliktit në Iran kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të kostove të energjisë dhe presion të madh mbi ekonomitë e vendeve të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se vetëm nga rritja e çmimeve të energjisë, BE ka pësuar rreth 24 miliardë euro humbje shtesë, duke e cilësuar situatën si një tjetër goditje të rëndë për kontinentin, pas krizës së mëparshme të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Sipas Brukselit, varësia e lartë nga importet e lëndëve djegëse fosile po mbetet një nga sfidat kryesore strukturore të ekonomisë evropiane, duke e bërë atë të ekspozuar ndaj krizave të jashtme.

Për të përballuar situatën, Bashkimi Evropian ka propozuar krijimin e një mekanizmi të posaçëm koordinimi për menaxhimin e mungesave të karburantit dhe rezervave energjetike në nivel pan-evropian.

Ndikimi i krizës po ndjehet në disa sektorë kyç të ekonomisë. Industria e aviacionit ka paralajmëruar për vështirësi serioze për shkak të rritjes së çmimit të karburantit dhe varësisë së lartë nga importet, ndërsa janë raportuar edhe reduktime të fluturimeve nga kompani të mëdha ajrore.

Edhe sektori industrial dhe kimik po përballet me rritje të kostove dhe paralajmërime për mbyllje fabrikash dhe shkurtime të vendeve të punës, si pasojë e shtrenjtimit të energjisë dhe lëndëve të para.

Në sektorin ushqimor dhe bujqësor, rritja e çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimikë ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit, duke rritur kostot për konsumatorët.

Ekspertët ekonomikë paralajmërojnë se nëse situata në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë e paqëndrueshme, Evropa mund të përballet me rrezik real recesioni. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar në ulje parashikimet e rritjes ekonomike për vendet e Eurozonës dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, rritja e inflacionit dhe çmimeve të energjisë po reflektohet edhe tek konsumatorët, me rritje të çmimeve në tregje dhe presion mbi kostot e jetesës.

Në këtë situatë, qeveritë evropiane po përshpejtojnë planet për zgjerimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, si një përpjekje për të ulur varësinë nga importet dhe për të stabilizuar ekonominë në afatgjatë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit