

Kryeministri Edi Rama tha sot nga Forumi Ekonomik i Delphit në Athinë se Shqipëria dhe Greqia synojnë të mbyllin të gjitha çështjet e hapura mes tyre brenda këtij viti, duke dhënë një sinjal të qartë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë një bisede me gazetarin Alexis Papahelas, Rama u shpreh se dialogu mes dy vendeve ka hyrë në një fazë konkrete dhe se ekziston një vullnet i ndërsjellë për të arritur një zgjidhje përfundimtare për temat që kanë mbetur pezull prej vitesh.
“Ambicia jonë është që të përfundojë brenda këtij viti dhe që vjeshtën e ardhshme ne të deklarojmë që kemi dakordësi për të gjitha çështjet”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se të dyja palët kanë vendosur të mos lejojnë që tensionet apo episodet e veçuara të ndikojnë në marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve.
“Kemi vendosur që nuk duhet t’i lëmë vendet tona që të ‘përpihen’ nga kjo lloj zënkash, grindjesh, sepse ndodhi diçka këtu apo ndodhi diçka atje. Ne duhet, që një herë e mirë, të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh dhe këtë po bëjmë”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se marrëdhënia personale me homologun grek është ndërtuar mbi respekt dhe komunikim të hapur, duke shmangur retorikën politike.
Në këtë pikë, Rama pranoi se çështja e Fredi Belerit ndikoi negativisht në ritmin e dialogut mes dy vendeve, duke krijuar pengesa të përkohshme në avancimin e disa proceseve.
“Çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë. Nuk ka dyshim dhe kjo ishte një tjetër pasojë e paqëllimtë e asaj çfarë ndodhi”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se, pavarësisht këtij episodi, të dyja palët kanë vendosur të vijojnë përpara me synimin për të arritur një zgjidhje përfundimtare.
“Ka qenë karakteristike në raportin tim me Kyriakos që kemi qenë gjithmonë respektues të njëri-tjetrit dhe të hapur me njëri-tjetrin, pa bërë teatër”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, Rama përmendi edhe përfshirjen aktive të ministrave të jashtëm të të dy vendeve në procesin e dialogut.
“Ministri Gerapetritis… është angazhuar me ministrin tim të Jashtëm dhe jemi shumë besimplotë”, deklaroi ai.
Sipas tij, nga ana e Shqipërisë nuk ka pengesa për avancimin e procesit dhe mbetet vetëm vullneti i përbashkët për të finalizuar marrëveshjet.
“Pra, për ne nuk ka asnjë problem për këtë çështje… presim një përfundim në fund të vitit”, përfundoi Rama.
Ja pikat kryesore ku Edi Rama flet për mbylljen e çështjeve me Greqinë:
“Ambicia jonë është që të përfundojë brenda këtij viti dhe që vjeshtën e ardhshme ne të deklarojmë që kemi dakordësi për të gjitha çështjet.”
“Kemi vendosur që nuk duhet t’i lëmë vendet tona që të ‘përpihen’ nga kjo lloj zënkash, grindjesh sepse ndodhi diçka këtu apo ndodhi diçka atje. Ne duhet, që një herë e mirë, të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh dhe këtë po bëjmë.”
“Pra, për ne nuk ka asnjë problem për këtë çështje… presim një përfundim në fund të vitit.”
“Jo, jo, nuk pres rifillim sepse kemi rifilluar. Presim një fund, në fund të vitit. Të dy presim një përfundim në fund të vitit.”
“Natyrisht kemi çështjen ende të pazgjidhur të ligjit të luftës. Duam që të mos jetë, të ikë dhe nuk kemi probleme të tjera…”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






