

Kryeministri Edi Rama ka tërhequr vëmendjen me një deklaratë të drejtpërdrejtë gjatë Forumit Ekonomik të Delphit në Greqi, ku foli sot për rolin e vendeve të vogla në arenën ndërkombëtare dhe raportin me aleancat e mëdha.
Në një bisedë me gazetarin Alexis Papahelas, Rama tha se Shqipëria, si vend i vogël, nuk ka ndikim të madh në vendimmarrjet globale, por është pjesë e strukturave të rëndësishme si NATO, ku sipas tij përgjegjësia bie kryesisht mbi vendet e mëdha.
Ai u shpreh se kur aleanca merr vendime të suksesshme, vendet e vogla përfitojnë edhe nga meritat, ndërsa në rastet kur gjërat nuk shkojnë si duhet, përgjegjësia u takon aktorëve kryesorë.
"…Kur NATO-ja bën diçka të mirë, si për shembull çlirimi i Kosovës, ne themi kemi bërë një gjë të shkëlqyer. Kur NATO-ja bën diçka të keqe, si për shembull largimi nga Afganistani, ashtu siç e bëri, ne themi është faji i tyre, sepse të mëdhenjtë marrin fajin, të vegjlit mund të marrin edhe ndonjë meritë kur është për t’u marrë.”
Në të njëjtën kohë, Rama e lidhi këtë qasje me realitetin e përgjithshëm të gjeopolitikës, duke nënvizuar se për vende si Shqipëria, stabiliteti dhe bashkëpunimi mbeten prioritetet kryesore.
E PLOTË/ Forumi Ekonomik i Delphit, Kryeministri Rama bisedë me Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini
Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e 11-të të Forumit Ekonomik të Delphit, në Greqi, Kryeministri Rama zhvilloi një bisedë me Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini.
Alexis Papahelas, Kryeredaktor i gazetës Kathimerini: Përshëndetje të gjithëve! Zoti kryeministër është kënaqësi që ju kam këtu.
Kryeministri Edi Rama: Kalispera!
-Ah, Kjo është fjala e tretë greqisht përveç, Efkaristo dhe Sagapo poli. Si ishte tjetra?
Kryeministri Edi Rama: Kalispera dhe Kalimera.
Mirë, mirë. Nuk jemi keq. Po ju thosha sot në mëngjes kur ju pashë me kryeministrin grek, sa kryeministra grekë keni takuar gjatë mandatit tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Mendoj që kam takuar edhe Kryeministrin Simitis, por nuk isha në këtë post, isha Ministër i Kulturës. Pastaj u takova me kryeministrin Karamanlis kur isha Kryetar Bashkie, kam takuar kryeministrin Papandreou, Kryeministrin Samaras, i kam takuar të gjithë.
Domethënë Paskeni koleksion. Po president, turk? Sa?
Kryeministri Edi Rama: Një dhe të vetëm.
-Më lini t’ju pyes, po përjetojmë një periudhë trazie gjeopolitike, të themi kështu. Një vend si Shqipëria, si përballet me këtë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni kur jeni aq i vogël sa Shqipëria, nga njëra anë të duhet të përballosh atë çfarë duhet, por nga ana tjetër je edhe i relaksuar, sepse nuk mund të ndryshosh asgjë, qoftë për keq apo për mirë. Kështu që, çfarëdo të vijë, le të vijë. Po, ne jemi anëtarë të NATO-s. Po, sidoqoftë, nuk është se ne vendosim shumëçka atje. Kur NATO-ja bën diçka të mirë, si për shembull, cclirimi i Kosovës, ne themi kemi bërë një gjë të shkëlqyer. Kur NATO-ja bën diçka të keqe, si për shembull largimi nga Afganistani, ashtu siç e bënë, ne themi është faji i tyre, sepse të mëdhenjtë marrin fajin të, vegjlit, mund të marrin edhe ndonjë meritë kur është për t’u marrë.
-Megjithatë, a keni ndjesinë që Ballkani është një lagje e harruar në këtë peizazh?
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk mendoj që Ballkani është i harruar. Kam ndjesinë që jemi në kohët më të mira. Për të qenë shumë të qartë, Ballkani Perëndimor, jemi në kohën më të mirë, nuk kemi qenë kurrë më pranë Bashkimit Europian. Bashkimi Europian nuk ka qenë kurrë kaq i vetëdijshëm për rëndësinë tonë në të gjithë gjeopejzazhin gjeopolitik. Kemi shumë vizibilitet më tepër, pra në shumë mënyra.
Gjatë dekadës së fundit është bërë normale, por s’ka qenë aspak normale që të flisnim dhe të bashkëpunonim me njëri-tjetrin. Dua t’ju kujtoj se jemi ulur të gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, rreth të njëjtës tryezë vetëm në 2014-ën në Berlin për herë të parë në histori. Kështu që jo, nuk jemi të harruar, jemi në kohën më të mirë që kemi jetuar.
-Por më kujtohet që radhën e kaluar ju i kërkuat presidentit Trump, më kujtohet shkurtin e kaluar mbajtët një fjalë ku i kërkuat që ai të përfshihet në disa prej konflikteve që po ndodhin.
Kryeministri Edi Rama: Po, pata privilegjin të isha me Presidentin Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i thashë diçka që e kam shumë për zemër dhe ka të bëjë me të drejtën, me drejtësinë ndërkombëtare dhe konkretisht me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që është krijuar, mbështetur në një raport fantazish, i sponsorizuar nga rusët, nga delegacioni i Vladimir Putinit në Këshillin e Europës, që mbështeste një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe specifikisht trafikim të organeve njerëzore.
Gjykata u ngrit për ta kthyer këtë raport fantazish në një proces kundër udhëheqës dhe morën nga zyra një president që ishte aktiv në detyrë dhe e sollën në Hagë dhe e burgosën përpara një akuze zyrtare dhe Kryetarin e Parlamentit po ashtu dhe më pas i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër. Pra nuk kishte ndodhur asnjë trafikim i organeve njerëzore dhe praktikisht akuzohen se kanë udhëhequr rebelimin kundër pushtuesve dhe që kanë bashkëpunuar me NATO-n. Ky është thelbi praktikisht. I thashë presidentit Trump që kjo është diçka, të cilën ai duhet ta dijë dhe me shpresë tek e cila mund të ndërhyjë.
A keni marrë ndonjë përgjigje?
Kryeministri Edi Rama: Nuk më ka informuar ende. Po ka qenë shumë i zënë ma ha mendja.
Mirë, dua të flas paksa për aspiratat europiane të Shqipërisë. Shqipëria është pak si paradoks për mua sepse nga njëra anë keni një shkallë domethënëse rritjeje, por nga ana tjetër gati 500 mijë, pra gjysmë milioni njerëzish e kanë lënë vendin gjatë mandatit tuaj. Si e shpjegoni këtë paradoks?
Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari gjysmë milioni nuk është shifër e saktë, por po, shqiptarët kanë vazhduar të largohen dhe mendoj që është gjëja më normale për një vend, i cili ka kaluar 50 vjet izolimi të plotë dhe për njerëz që kanë qenë gjithnjë të prirur të emigrojnë e të kërkojnë një jetë më të mirë. Por nga ana tjetër mendoj që ka të dhëna të qarta që shqiptarët po kështu po kthehen. Kështu që ende jemi në një negativ neto midis njerëzve që largohen dhe vijnë, por hendeku po ngushtohet dhe po, duhet të vazhdojmë të bëjmë shumë, por sa për t’ju dhënë një shifër. Kur mora detyrën, PBB-ja jonë ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa aktualisht është 27 miliardë euro, pra, kemi bërë mjaft Numëronim më parë 2 milionë turistë, ndërkohë që vitin e kaluar u rritëm në 12 milionë turistë. Kishim 300-400 milionë investime të huaj drejtpërdrejta, ndërkohë që vitin e kaluar arritëm 1.6 miliardë kështu që këto janë shifra të rëndësishme për një vend si yni. Sigurisht nuk ka aspak dyshim që ka shumë për të bërë për njerëzit.
Çdo raport që lexoj në kuadër të aspiratës evropiane ka kritika për ekonominë informale që është ende 1/3 e PBB-së dhe çështjet e shtetit të së drejtës. A po merreni me to?
Kryeministri Edi Rama: Patjetër që po merremi. Dhe arsyeja sepse çdo vit dhe sapo pashë shifrat e katërmujorit të parë, jemi në rreth 300 milionë euro më shumë të ardhura, krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 100 milionë mbi vlerën e planifikuar dhe nuk është vetëm rritje, por është edhe ngushtimi i hapësirës së ekonomisë informale sepse kemi futur në veprim edhe inteligjencën artificiale, gjurmimin digjital, e kështu me radhë, është një betejë.
Kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës, pra sundimin e ligjit patjetër sigurisht që kemi probleme dhe po bëjmë gjithçka mundemi që të përmirësohemi në këtë drejtim. Një gazetar nga “Politico” më pyeti: – A do ta mbyllni punën me shtetin e së drejtës brenda 2027-s? I thashë, në qoftë se synon të jesh anëtar i Bashkimit Evopian, duhet të kuptosh që kurrë nuk mbaron punë me shtetin e së drejtës. Është një moto e përjetshme. Po përmirësohemi? Po patjetër. Po nuk ka një gjë të tillë si të mbyllet.
-Ka po kështu edhe kritika që krimi i organizuar është një faktor në Shqipëri. A është betejë e vështirë kjo?
Kryeministri Edi Rama: Po e di. Është një kritikë dhe në këndvështrimin tim shpërpjesëtimore, është e vështirë të pranosh një kritikë të tillë, kur shkon përtej përmasave, sidomos në media edhe që janë jashtë, sepse kur sheh portin tonë, e kur sheh Barcelonën, Anversan apo Rotterdamin, përmasat dhe çfarë qarkullon në këto porte është e jashtëzakonshme, por kjo nuk nënkupton që ne nuk kemi probleme. Kemi luftuar fort, kemi arritur shumë sukses, sepse më së fundi ja kemi dalë me sukses në diçka që për ne është arritja e një jete, t’i japim gjyqësorit pavarësinë e tij. Pasja e një drejtësie të pavarur që angazhohet, që është shumë më e angazhuar kundër krimit të organizuar, ka bërë ndryshimin.
-Do të flas për disa prej çështjeve dypalëshe tani
Kryeministri Edi Rama: Pse kemi çështje dypalëshe?
Disa.
Kryeministri Edi Rama: Nuk mendoj kështu.
Ndoshta i zgjidhim këtu. Do të ishim shumë të lumtur.
Kryeministri Edi Rama: Kishim një çështje ca javë më parë ku të gjithë luajtën mendsh sepse thashë që nuk jeni nipërit e Platonit, por ishte vetëm një mënyrë për të ngrohur atmosferën në një debat me kolegun tuaj, jo për të ulur vlerat dhe bukurinë e kulturës dhe historisë greke. Kështu që, të tilla çështje nuk mendoj se janë shumë serioze.
-Në fakt dua të të flas për këtë sepse ishe me mikun tim John Defterios.
Kryeministri Edi Rama: Ai është një person i shkëlqyer dhe nuk doja që ta bëja të ndjej sikur po ja merrja Platonin dhe po ja bëja shqiptar. Ishte thjesht për ta ngacmuar pak sepse në këtë pjesë të botës e marrim shumë seriozisht veten dhe i vetmi problem që kam me grekët dhe me shqiptarët meqë ra fjala, më shumë me shqiptarët sesa me grekët është marrja e vetes shumë seriozisht, mendojmë për veten sikur ç’të jetë, kaq është.
Por, ana tjetër është që duhet të jemi shumë të ndjeshëm karshi historisë së njëri-tjetrit dhe ta respektojmë këtë histori të njëri-tjetrit. Unë e di sesa po themi, qetësisht, i merr gjërat, por ndërkohë ishte si një lloj armiqësie.
Kryeministri Edi Rama: Jo largqoftë çfarë armiqësie. Kushdo që më njeh, unë kam një admirim të madh për këtë vend dhe nuk e di, më duket që Thomas Milleri që thoshte që duhet një jetë për të zbuluar Greqinë, por duhet një ditë për të rënë në dashuri me të. Dhe unë s’kam kaluar një ditë, por më shumë sesa një ditë. Dhe sa herë që vij ndjej se kam rënë në dashuri me këtë vend. Si mund të jem armiqësor?
-Ndoshta ka qenë një moment i keq.
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk ishte moment i keq. Thjesht isha unë që po bëja humor me njerëz shumë seriozë. Ndoshta nuk isha në vendin e duhur.
-Mirë, dua të flas pak për zgjidhjen e çështjes së pronave. Një prej kritikave është që e keni trajtuar në nivel kombëtar, keni arritur një normë 60% suksesi në nivel kombëtar. Po kur bëhet fjalë për zonat lokale ku grekët kanë rrënjë dhe jetojnë aty, këto norma janë shumë më të ulëta. Si e shpjegoni këtë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni. Është një temë shumë e thjeshtë, por edhe e ndërlikuar. Duhet të kuptoni apo më mirë të kujtoni se ne kemi qenë një vend, i cili u privua tërësisht nga prona private. Për gjysmë shekulli nuk patëm pronë private. Nuk lejoheshim të kishim asnjë metër katror tokë në pronësinë tonë e madje as një automjet privat. Pas 50 vitesh më së fundi e ndryshuam atë regjim të tmerrshëm dhe sigurisht prona ishte çështja kryesore. Asokohe u miratua një ligj me konsensus si të opozitës, ashtu edhe të partisë që vinte nga e shkuara për t’i dhënë letër përdorimi, pra titull përdorimi, jo titull pronësie, të gjithëve atyre që punonin tokën dhe ndërkohë të shihej dhe të trajtoheshin ish-pronarët. Në atë moment, u krijua menjëherë një mbivendosje dhe përgjatë viteve njerëzit që kishin titull përdorimit të tokës u bënë pronarë. Pronarët u bënë ish-pronarë dhe u vendos një shtresë e tretë, që ishin shumë njerëz që vinin nga zonat rurale dhe në vakum ndërtuan në mënyrë të paligjshme kudo që mundën në tokë bujqësore. Patjetër që s’kishte tjetër rrugë përveçse t’i legalizonim. Pra ishte një shtresë e tretë.
Ne kemi 10 vjet që po merremi me këtë, duke pastruar sa më shumë të mundemi, duke digjitalizuar e kështu me radhë, por për t’i rënë shkurt askush nuk mund të provojë të kundërtën e asaj që po ju them, që problemi me pronën edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët etnikë shqiptarë në të njëjtën zonë apo kudo tjetër.
Është thjesht një problem shqiptar, për shqiptarët dhe për qytetarët etnikë grekë, të cilin po e trajtojmë. Dhe për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke dhe kur flas për të kuptuarit, të kuptuarit që është një thesar kulturor dhe në respektin sepse janë qytetarë të vendit tonë, ne iu kemi kushtuar vëmendje të posaçme atyre dhe këtu dua edhe të përgëzoj zotin Mitsotakis, i cili ka qenë vërtetë këmbëngulës për këtë dhe unë e kam konsideruar këtë një gjë të mirë. Respekte për të sepse ai lufton për qytetarët e tij, por në të njëjtën kohë ju kam thënë njerëzve tanë që duhet ta respektojmë këtë gjë dhe duhet të bëjmë më shumë sepse është e ndjeshme dhe duhet t’u tregojmë e t’ju dëshmojmë fqinjëve tanë se sa shumë e vlerësojmë këtë marrëdhënie.
A do të na jepni të dhëna se sa kërkesa të qytetarëve grekë për pronën janë përmbushur?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, ju jeni në krye të një gazete shumë të madhe dhe dërgoni gazetarët te ne. Ata mund të vijnë të marrin të gjithë informacionet dhe do të ishte me shumë vlerë edhe për audiencën greke në qoftë se bëni një raportim të saktë bazuar në faktet që do t’ju vëmë në dispozicion dhe mendoj që kjo do të ndihmojë.
Dakord pra, do dërgojmë dikë atje. Le të shkojmë te Beleri.
Kryeministri Edi Rama: Te kush?
-Te Fredi Beleri.
Kryeministri Edi Rama: Po pse duhet t’i kthehemi? Është i lumtur, është europarlamentar. Për të çdo gjë përfundoi në të tillë mënyrë sa çdo kryetar bashkie që është vënë, është çuar në paraburgim, do ta kishte ëndërr, por ndërkohë vazhdojnë të jenë në burg. Jo, e kam seriozisht. Sot kam provë që në atë kohë dukej sikur ishte rast unik dhe jam përpjekur që t’i shpjegoj mikut tim të dashur Kyriakos nga pala greke që ishte shumë i ndjeshëm ndaj kësaj dhe e respektoj plotësisht që kjo është diçka që ka të bëjë me një model në vendin tonë, pas reformës në drejtësi, ku ndalimi në paraburgim po bëhet problem dhe mund ta ndaj me ju. Nuk jam krenar për këtë, por gjyqësori është i pavarur dhe ne duhet të merremi me këtë me durim.
Në Shqipëri sot kemi 58% të personave në burgje që ende nuk kanë procedim gjyqësor, nuk kanë gjyq. Dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, nga partia ime që s’ka lidhje me Greqinë, ka pasur një raport sepse ka qenë mik shumë i mirë me kryetarin e bashkisë së Athinës, është burgosur në janar të 2025 dhe vazhdon të jetë ende në burg dhe procesi gjyqësor sapo ka nisur.
Kështu që, kur thashë që për Belerin përfundoi në mënyrë të mrekullueshme sepse është europarlamentar, e kam fjalën që ka marrë fund, nuk dua t’i kthehem kësaj gjëje dhe kam provë tashmë, që kjo nuk është diçka që ka prekur vetëm një grek etnik.
Është diçka që ka prekur shumë njerëz dhe mund të numërojë edhe të tjerë kryetarë bashkie që janë përballur me këtë.
Më lini t’ju pyes që ta kuptoj mirë. Në ‘’Kathimerini’’ ju thatë që ky ishte një episod fatkeq..
Kryeministri Edi Rama: Është pa fat për të dhe për çdokënd që në fakt është përpara procesit gjyqësor dhe paraburgoset dhe kjo është diçka që unë nuk e marr me lehtësi. Është diçka që po e ndaj me miqtë europianë, por më është thënë ‘’kjo ka të bëjë me drejtësinë’’. Kështu që unë nuk komentoj dot. Megjithatë patjetër që është një episod i pafat.
-Ka një diskutim midis dy vendeve sa i përket zonave ekskluzive ekonomike. Ka pasur një marrëveshje? Keni qenë kundër kur ishit në opozitë? Dhe pastaj në 2020-ën thatë që ishit gati të negocionit me Greqinë dhe ta çonit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Apo ndodh ndonjë gjë në këtë front apo?
Kryeministri Edi Rama: E vërteta është më e nuancuar. Nuk ishte që unë isha kundër kësaj, por pasi marrëveshja u bë publike, një personalitet i ushtrisë doli me një artikull të plotë mbushur përplot me kritika dhe kjo e ndezi mjedisin sepse nuk është vetëm këtu, nuk ndodh vetëm këtu që ka një reagim të menjëhershëm kur ka diçka që ka të bëjë me palën tjetër, por ndodh edhe atje.
Në atë kohë ne ishim në opozitë dhe unë thashë, ‘’dëgjoni, kjo mund të duket si një dhuratë e shkëlqyer që mund ta marrim, mund të shkojmë në parlament, mund të shkojmë të dalim në protesta e mund të thërrasim “tradhti”, por nuk është kjo ajo që duhet të bëjmë e që do të bëjmë, sepse nuk jemi kjo lloj partie, por në të njëjtën kohë nuk mund të rrimë duarkryq, ndaj do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë’’.
Pra, e nxorrëm nga kjo ‘’fusha e futbollit’’ midis partive dhe ‘’tifozëve’’ dhe e çuam atje. Kështu funksionoi. Tashmë kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kështu do të bëhet dhe pastaj i takon gjykatës të vendos.
-Presim ndonjë lajm, ndonjë marrëveshje së shpejti në këtë front?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, çështja Beleri krijoi disa vështirësi në marrëdhënien tonë. Nuk ka dyshim dhe kjo ishte një tjetër pasojë e paqëllimtë e asaj çfarë ndodhi. Por ajo çfarë ka qenë karakteristike në raportin tim me Kyriakos është që kemi qenë gjithmonë respektues të njëri-tjetrit dhe të hapur me njëri-tjetrin pa bërë teatër.
Unë e respektoj shumë për këtë. Kemi vendosur, vendosëm kohë më parë që nuk duhet t’i lëmë vendet tona që të ‘’përpihen’’ nga kjo lloj, nga këtë lloj zënkash, grindjesh sepse ndodhi diçka këtu apo ndodhi diçka atje. Ne duhet, që një herë e mirë të zgjidhim të gjitha çështjet që ka midis nesh dhe këtë po bëjmë.
Ambicia jonë është që të përfundojë brenda këtij viti dhe që vjeshtën e ardhshme, ne të deklarojmë që kemi dakordësi për të gjitha çështjet. Ministri Gerapetritis që është këtu dhe e përshëndes dhe admiroj vërtetë mënyrën e tij të hijshme. Është gjithmonë i hijshëm edhe në momentet më të vështira, ka një buzëqeshje të hijshme, një profesor i jashtëzakonshëm i së drejtës. Ai është angazhuar me ministrin tim të Jashtëm dhe jemi shumë besimplotë. Nga ana jonë nuk shohim çështje. Pra, për ne nuk ka asnjë problem për këtë çështje.
Natyrisht kemi çështjen ende të pazgjidhur të ligjit të luftës. Duam që të mos jetë, të ikë dhe nuk kemi probleme të tjera dhe kemi diçka që është një aset i madh për ne, që është pakica greke dhe po kështu diçka tjetër që është aset i madh i madh për ju, që janë qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu, të cilët janë shumë e tashmë plotësisht të integruar. Kësisoj ju detyrohemi të dyja palëve për të pasur një raport miqësor.
-Pra, prisni që të ketë një rifillim për zgjidhjen e këtyre çështjeve?
Kryeministri Edi Rama: Jo jo, nuk pres rifillim sepse kemi rifilluar. Presim një fund, në fund të vitit. Të dy presim një përfundim në fund të vitit. Shpresojmë sepse nuk e dimë asnjëherë. Nuk i dihet kurrë çfarë ndodh në këtë botë. Nuk dihet kurrë se çfarë ndodh midis nesh. E shihni? Po përpiqem të tregoj kujdes për të mos bërë shaka me ju, pikërisht sepse nuk dua të trazoj këtë mjedis të paqtë që kemi krijuar.
Është Aleksandri i Madh, grek?
Kryeministri Edi Rama: Çfarë është?
-A është grek Aleksandri i Madh? Pa shaka, të lutem. Nuk është për të qeshur. Dua të flas për energjinë. A do të bëhet Shqipëria një pikë hyrëse për gazin, për Evropën. A ka ndonjë diskutim të tillë?
Kryeministri Edi Rama: Tani, nuk i kërkova leje ambasadorit të SHBA-së këtu për të dhënë asnjë informacion, por mund të flas pa lejen e grekëve, pa lejen e europianëve, por nuk flas dot pa lejen e amerikanëve, sepse mund të bëhen shumë të këqij.
-Ndoshta është e anasjellta.
Kryeministri Edi Rama: Po, po. Ka një lloj konspiracioni për ta bërë Shqipërinë. Në fakt më pëlqen shumë, shumë kur të gjithë në rajon thonë duam të jemi qendra e kësaj, qendra e asaj dhe në fakt aty pa asnjë mendje është ideja për t’i ‘’gëlltitur’’ të gjithë, por jo. Ne nuk duam t’i gëlltisim të gjithë. Ne kemi shansin për ta pasur këtë gjë dhe miqtë tanë amerikanë janë të interesuar, janë mjaft ndihmues dhe nga ana tjetër jemi shumë të lumtur që jemi angazhuar në një bashkëbisedim të mirëfilltë me Greqinë, për çështjet e energjisë që është prej disa kohësh.
Një tjetër çështje që është diskutuar, është që keni shumë disidentë iranianë në Shqipëri. Ç’ne?
Kryeministri Edi Rama: Shiko, ne kemi një histori, prapë duhet t’i thërrasim historisë. Kemi një histori mikpritjeje që duam ta ruajmë e ta ushqejmë. Siç mund ta dini, Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe për këtë jemi unikë, që i dha fund Luftës së Dytë Botërore me më shumë hebrenj sa ç’ ishin përpara se të niste kjo luftë.
Dhe nuk ka shifra të dhëna për asnjë hebre të dorëzuar nazistëve. Ne kemi mbrojtur edhe 25.000 italianë, pjesë e ushtrisë pushtuese kur Italia kapitulloi, pra i mbrojtëm nga nazistët; pritëm afganët pasi ndodhi ai largim nga Kabuli në një mënyrë që si ta quajmë, të turpshme. Ne hapëm dyert për disa mijëra afganë, që askush në Europë nuk i donte.
Sa për iranianët na u kërkua të merrnim në konsideratë, t’i sillnim aty jo për ta përdorur Shqipërinë si një platformë për opozitë politike, por për arsye humanitare, sepse ndodheshin në kampin ‘’Liria’’ në Irak dhe sulmoheshin gjatë tërë kohës nga vrasësit e Teheranit. Kështu që thamë po, mund të vijnë.
I kemi aty që prej disa viteve dhe ju kemi shpëtuar jetën. Mendoj që do të ketë një konsideratë për ta ‘’futur Shqipërinë në parajsë’’ nëse rrëfejmë të gjitha këto histori kur kemi shpëtuar jetë. Pra është një farë mënyre për të menduar që njëfarësoj mund t’i shpëtojmë ferrit.
Edhe një pyetje tjetër sepse mendoj që kryeministri po vjen. Ka shumë spekulime për kampe të refugjatëve europiane në Shqipëri. A ka një diskutim për këtë?
Kryeministri Edi Rama: Kampe europiane të migracionit? Italiane! Jo jo, janë dy gjëra të ndryshme për ne. Ne kemi një ‘’histori të gjatë dashurie’’ me Italinë, kështu që është ndryshe. Jo, Italia na kërkoi të merrnim në konsideratë, t’u ofronim mundësinë për të ngritur këto qendra për emigrantët dhe i thamë po, sepse Italisë i themi gjithmonë po. Ata nuk na kërkojnë shumë gjëra ne, po kur na kërkojnë, themi po, sepse kanë qenë shumë të mirë me ne dhe kanë qenë krah nesh në momente shumë të vështira. Kështu që është një bonus i veçantë. Sigurisht pastaj kur kryeministrja italiane është një grua, është edhe më e pamundur.
I kemi parë fotot e historisë tuaj të dashurisë.
Kryeministri Edi Rama: Më e pamundur që t’i thuash jo. E kuptoni këtë?
E kuptoj që kjo ka ndodhur dhe me ish-ambasadoren greke në Tiranë apo?
Kryeministri Edi Rama: Po, po me këdo, po sidomos me kryeministren italiane.
Faleminderit shumë, Kryeministër.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






