

Policia ka zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e 21 prillit 2026, në Memaliaj, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Endri Goxhaj, ndërsa u plagos shtetasi Dario Nela. Autor i vrasjes dyshhet të jetë Donald Nelaj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë zhvilluar hetime të thelluara, të cilat çuan në identifikimin dhe arrestimin e disa personave të përfshirë në ngjarje.
Në pranga janë vënë shtetasit D. N., 25 vjeç, dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, të akuzuar për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”. Gjithashtu, është arrestuar edhe shtetasi E. M., 41 vjeç, për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç, dhe vëllai i tij M. N., 28 vjeç, të dy të dyshuar për përfshirje direkte në vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Policia vijon punën për kapjen e tyre.

Viktima Endri Goxhaj
Në lidhje me këtë ngjarje, ka nisur procedimi penal edhe për shtetasit J. K., 44 vjeç, për “deklaratë të rreme para prokurorit”, si dhe për G. Q., 49 vjeç, për veprën penale “kanosja”.
Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes disa personave. Gjatë përplasjes, dyshohet se viktima E. G. ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit D. N., 25 vjeç, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, dy vëllezërit e këtij të fundit, të shpallur në kërkim, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të E. G., i cili ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital. Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja me automjet.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, një krehër me fishekë, municion luftarak, dy automjete, dy motomjete, katër telefona celularë dhe sende të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






