

Kryeministri Edi Rama ndodhet Forumin Ekonomik të Delphi-t, teksa po zhvillon një bisedë me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini.
“Jemi anëtar të NATO-s, por nuk është se vendosim shumëçka atje. Kur NATO bën diçka të mirë, ne themi se kemi bërë diçka të shkëlqyer, kur bën diçka të keqe, ne themi është faji i tyre. Sepse të mëdhenjtë marrin fajin, të vegjlit mund të marrin edhe ndonjë meritë. Nuk mendoj se Ballkani është i harruar, jemi në kohët më të mira!”, u shpreh Rama në nisje të bashkëbisedimit, referuar progresit të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk kanë qenë kurrë më parë kaq pranë BE-së.
Teksa Shqipëria ndodhet në një pozicion të mirë për aspiratat e saj europiane, Rama u pyet se pse përgjatë qeverisjes së tij nga vendi janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë.
“Nuk është shifër e saktë, por po, shqiptarët kanë vazhduar të largohen dhe mendoj se është normale për një vend që ka kaluar 50 vjet izolimi të plotë”, u përgjigj kryeministri.
Më tej, ai foli me shifra sa i takon rritjes ekonomike, duke u ndalur te prodhimi i brendshëm bruto, investimet e huaja e deri te rritja rekord e numrit të turistëve.
Papahelas e pyeti shkoqur se “a është krimi i organizuar faktor në Shqipëri”, ndërsa Rama e dha përgjigjen prerë duke vënë theksin te pavarësia e plotë e gjyqësorit për të vepruar kundër këtij fenomeni që ekziston kudo sipas tij.
Vlerësoi maksimalisht raportin mes Shqipërisë e Greqisë, teksa sqaroi edhe ngërçin me pronat.
“Problemi me pronën edhe në zonat ku ka qytetarë etnikë grekë nuk është aspak ndryshe nga problemet që kanë qytetarët shqiptarë në të njëjtën zona apo kudo tjetër. Është thjesht një problem shqiptar, që po e trajtojmë! Për shkak se kemi një nivel mjaft të rëndësishëm të kuptuari e respekti për pakicën greke, që është një thesar kulturor, ne ju kemi kushtuar vëmendje të posaçme. Këtu dua të përgëzoj Mitsotakis, që ka qenë vërtet këmbëngulës për këtë. Ju jeni në krye të një gazete të madhe, ata mund të vijnë dhe të marrin informacione, do të ishte me vlerë nëse bëni një raportim të saktë me fakte që do ua vëmë në dispozicion”, deklaroi Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






