

ITALI – Një operacion antidrogë i zhvilluar nga Guardia di Finanza në Parma ka çuar në goditjen e një rrjeti trafiku kokaine, ku janë përfshirë edhe shtetas shqiptarë.
Në zbatim të urdhrit të Gjykata e Parmës, dy shtetas shqiptarë janë vendosur në masë sigurie “arrest në burg”, ndërsa një shtetas italian është lënë në arrest shtëpie.
Sipas hetimeve, rrjeti dyshohet të ketë trafikuar të paktën 60 kilogramë kokainë në disa rajone të Italisë, me një vlerë të përllogaritur mbi 4 milionë euro. Njëri prej shqiptarëve konsiderohet si figurë kyçe në transportin e drogës, duke kryer udhëtime të shpeshta me automjet dhe duke shpërndarë sasi të konsiderueshme në veri dhe qendër të vendit.
Hetimi ka nisur pas sekuestrimit të 8.4 kilogramë kokaine dhe 41 mijë eurove cash, të fshehura në një hapësirë të posaçme në automjetin e njërit prej të dyshuarve. Nga verifikimet e mëtejshme është zbuluar një aktivitet i gjerë që përfshin rajone si Emilia Romagna, Lombardia, Piemonte, Veneto, Toscana, Liguria, Marche, Abruzzo dhe Umbria.
Hetuesit bëjnë me dije se të dyshuarit përdornin komunikim të koduar për të fshehur aktivitetin, duke iu referuar kokainës me terma si “proshuta”, “birra”, “pulat” dhe “bukë”.
Gjatë operacionit është dokumentuar edhe aktiviteti i një tjetër shtetasi shqiptar, i dyshuar për shpërndarje me pakicë në zonën e Parmës, ku janë regjistruar rreth 300 episode shitjeje.
Në hetim janë përfshirë edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë për pastrim parash, ndërsa autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë dhe për të gjithë personat vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






