Transmetuar më 22-04-2026, 12:05

Berisha: Protestat tona janë paqësore, asnjë polic i plagosur – paralajmëron mobilizim më të madh dhe thotë se dhuna qytetare do të jetë në proporcion me atë policore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protestat e opozitës do të vijojnë të jenë paqësore, ndërsa paralajmëroi një tjetër mobilizim të madh në ditët në vijim.

Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha theksoi se në shtatë protestat kombëtare të zhvilluara deri më tani nuk ka pasur asnjë efektiv policie të plagosur, duke e lidhur këtë me karakterin paqësor të tubimeve.

Ai hodhi poshtë pretendimet për incidente të dhunshme nga protestuesit, duke akuzuar se janë paraqitur skenarë të fabrikuar për të krijuar një realitet të rremë. Sipas tij, protestat kanë qenë të qeta dhe të organizuara pa përplasje.

Berisha akuzoi gjithashtu policinë për përdorim të tepruar të forcës gjatë protestës së fundit, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe mjeteve të tjera që, sipas tij, kanë rrezikuar protestuesit.

Sipas tij, në protestën e radhës përgjigjja e qytetarëve do të jetë proporcionale me dhunën e pajustifikuar të policisë dhe shtetit ndaj protestuesve.

‘Ne nuk dorëzohemi. Dita e premte ishte një fitore për ne sepse ekspozuam frikën dhe tmerrin, ligësinë e pafundme që ka kapur Edi Ramën nga kryengritja jonë. Ne nuk dorëzohemi. Protestën e ardhshme përgjigjja jonë në kryengritjen tonë paqësore do të jetë proporcionale, banditë dëgjojeni, me dhunën e pajustifikuar që na u bë’, paralajmëroi Berisha.

Ai shtoi se opozita nuk do të tërhiqet dhe se reagimi i saj do të jetë i fortë, por gjithmonë brenda kuadrit paqësor. Në përfundim, Berisha bëri të ditur se protesta e radhës do të njoftohet së shpejti dhe, sipas tij, do të jetë më e madhja e organizuar deri më tani.

Pjesa e plotë

Cila do jetë strategjia e protestës së ardhshme, meqenëse ju thatë se ajo do jetë në proporcion e dhunën që ushtroi policia ndaj protestuesve?

Sali Berisha: Ne jemi për protestë paqësore dhe vetëm paqësore dhe u them të gjithë atyre që, në mbrojtje të Edi Ramës kundërshtojnë protestat tona, se gjer sot, 7 protesta kombëtare më të fuqishme që ka njohur vendi, për shkak të karakterit paqësor, nuk ka një polic të plagosur.

Mediat nuk mund të citojnë emrin e një polici të plagosur.

Mediat mund të paraqesin skenarë të organizuar nga policia për të paraqitur policë të plagosur, por të dështuar, por jo të plagosur.

Sepse është protestë paqësore.

Ky është shkaku.

Tani, protestën e fundit janë përdorur helme me rrezik të lartë. Janë përdorur granata siç i patë, janë përdorur plumba gome, janë përdor verbues ariu dhe helme të tjera toksike.

Janë hedhur nga tarracat shishe molotov në mes të protestuesve. Me dëshmitarë të gjitha këto.

Herën e fundit, Skënder Balluku, një mercenar i Lubi Ballukut, mendoi se do mbyllë çështjen Rama-Balluku me akte shtazërie kundër protestuesve.

E garantoj se do jetë përgjegjës për secilin prej tyre.

Dhe opozita nuk mposhtet kurrë.

Opozita do u përgjigjet në mënyrën më të fuqishme.

Protesta tjetër do të njoftohet shumë shpejt, kryengritja tjetër paqësore dhe do jetë më madhështorja që ka njohur vendi."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit