Transmetuar më 22-04-2026, 11:59

Berisha akuza ndaj Ramës: Fshehu pjesëmarrjen në samit dhe përfaqësoi Shqipërinë në një forum me qëndrime anti-amerikane

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar sot se ka fshehur pjesëmarrjen e tij në një samit ndërkombëtar në Spanjë dhe se ka përfaqësuar Shqipërinë në një aktivitet që, sipas tij, kishte qëndrime të qarta anti-amerikane.

Në daljen e përditshme për mediat, Berisha u shpreh se Rama ka marrë pjesë në një samit të organizuar nga Aleks Soros, të cilin ai e cilësoi si përfaqësues të “së majtës ekstreme globale”.

Sipas tij, ky samit nuk ishte një forum pro-evropian, por një platformë me mesazhe të forta kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Berisha ngriti pikëpyetje mbi arsyet pse kryeministri nuk e bëri publike pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet, duke theksuar se një udhëtim i tillë nuk është privat, por përfaqësim i shtetit shqiptar. Ai shtoi se Rama ka tentuar ta paraqesë vizitën si një takim zyrtar në Spanjë, duke shmangur transparencën për rolin e tij në samit.

Sipas tij, prania e Ramës në një aktivitet të tillë nuk i shërben interesave të Shqipërisë, por lidhet me interesa personale. Berisha theksoi se në çështje të sigurisë kombëtare, qëndrimi i opozitës është i qartë në mbështetje të SHBA-së, ndërsa pjesëmarrja në një forum me qëndrime të kundërta ngre shqetësime serioze.

Ai shtoi gjithashtu se publikimi i fotove nga vetë organizatorët e samitit dhe mungesa e transparencës nga ana e Ramës tregojnë, sipas tij, për një përpjekje për të fshehur këtë pjesëmarrje nga publiku shqiptar.

Në deklaratën e tij, Berisha e cilësoi këtë sjellje si keqpërdorim të postit dhe detyrës, duke theksuar se përfaqësimi i Shqipërisë në një samit të tillë pa transparencë përbën një problem serioz institucional.

Ai tha se një kryeministër nuk mund të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare dhe të mos informojë publikun, sidomos kur bëhet fjalë për forume ku marrin pjesë liderë të ndryshëm botërorë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit