

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Fati i Lojërave”, duke goditur disa raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke çuar në zbulimin e katër ambienteve të përshtatura për këtë aktivitet të paligjshëm.
Gjatë ndërhyrjes, policia zbuloi ambiente ku zhvilloheshin lojëra fati me kompjutera dhe tavolina pokeri. Në total u sekuestruan 16 kompjutera të përdorur për lojëra fati, tavolina pokeri dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan 5 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se janë pronarë, administratorë ose punonjës të këtyre ambienteve.
Noa.al mëson se u arrestuan shtetasit Xhuljan Kaloshi, Klajment Çurri, Redion Muka, Edmond Ndreka dhe Klodjan Vishkurti.
Në një nga rastet, u arrestua shtetasi Xhuljan Kaloshi, 34 vjeç, pasi në lokalin e tij u gjetën 5 kompjutera që përdoreshin për lojëra fati.
Në një tjetër ambient u arrestuan Klajment Çurri, 47 vjeç dhe Redion Muka, 42 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të 47-vjeçarit, ku ishte i punësuar 42-vjeçari, u zbuluan 4 kompjutera të tillë.
Po ashtu, u arrestua shtetasi Edmond Ndreka, 49 vjeç dhe u shpall në kërkim L. B., 32 vjeç, pasi në ambientin që administrohej nga ky i fundit, me punonjës 49-vjeçarin, u gjetën 7 kompjutera për lojëra fati.
Në një tjetër rast, u arrestua Klodjan Vishkurti, 22 vjeç dhe u shpall në kërkim F. V., 60 vjeç, pasi në ambientin në pronësi të këtij të fundit u gjetën tavolina pokeri dhe pajisje të tjera. 22-vjeçari u kap në flagrancë duke tentuar të shkatërrojë provat materiale.
Policia bën me dije se kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme do të vijojnë në të gjithë territorin, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






