Transmetuar më 22-04-2026, 11:38

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Greqi për një vizitë pune me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, ku në fokus kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Gjatë takimit është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri–Greqi, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ecurinë e punës për hartimin e një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, për të cilin janë angazhuar ekipet e ministrive të jashtme të të dy vendeve.

Në një reagim publik, Kryeministri Rama theksoi se marrëdhënia me Mitsotakis shkon përtej bashkëpunimit institucional, duke e cilësuar atë si një miqësi të ndërtuar mbi ambicien e përbashkët për modernizimin e vendeve dhe për ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke në një nivel të ri.

Ai shtoi gjithashtu se po punohet për të adresuar përfundimisht çështjet e mbartura mes dy shteteve, me synimin që brenda këtij viti të arrihet një marrëveshje e re strategjike.

Në vijim të agjendës së tij, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Delphit, ku pritet të zhvillojë takime të tjera me liderë dhe përfaqësues të ekonomisë ndërkombëtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit