Transmetuar më 22-04-2026, 11:17

Zbulohen detaje të reja në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, e ndodhur mbrëmjen e së martës në Memaliaj. Ngjarja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një konflikti mes grupeve rivale të përfshira në aktivitet kriminal.

Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër, Donaldo dhe Marjaldo Nela, të cilët dyshohen si autorë të përfshirë në ngjarje. Sipas burimeve hetimore, viktima dhe autorët i përkisnin dy grupeve kundërshtare, mes të cilëve ka pasur përplasje të armatosur.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe Dali Nela, vëllai i dy personave të shpallur në kërkim. Ai ndodhet nën kujdes mjekësor.

Viktima Endri Goxhaj

Hetimet paraprake tregojnë se konfliktet mes grupeve janë të hershme dhe lidhen dyshohet me aktivitetin e paligjshëm të trafikut të lëndëve narkotike. Njëri nga të dyshuarit, Donaldo Nela, rezulton person me precedent penal dhe i përfshirë më parë në çështje të trafikut të drogës, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i goditur nga policia në vitin 2018.

Ai gjithashtu është hetuar edhe për një grabitje të ndodhur në një pikë këmbimi valutor në Tepelenë.

Ndërkohë, disa persona janë shoqëruar si dëshmitarë okularë apo persona që mund të kenë dijeni për konfliktin, por deri më tani dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa mbetet në fokus kapja e personave të shpallur në kërkim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit