

Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve, hyjnë në fuqi sot
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja për shitjen e karburanteve në tregun vendas, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 22 prill 2026, në orën 12:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin (standard SSH EN 590) do të jetë 202 lekë për litër, nga 197 lekë deri tani.
Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është vendosur 176 lekë për litër, nga 172 që është aktualisht.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve që merren me tregtimin e nënprodukteve të naftës që të zbatojnë këtë vendim, duke paralajmëruar masa të rrepta në rast shkeljesh. Konkretisht, çdo subjekt që nuk respekton çmimet e përcaktuara rrezikon pezullimin e aktivitetit.
Në një sqarim shtesë, bëhet me dije se bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i akcizës për karburantet do të vijojë të zbatohet i plotë, 100%. Kjo pasi çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar, që parashikojnë ulje të akcizës vetëm nëse gazoili kalon 220 lekë/litër dhe benzina 200 lekë/litër.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






