

Një i burgosur 69-vjeçar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në IEVP Fier, pasi ka shfaqur probleme të menjëhershme shëndetësore.
Sipas informacionit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin Luan Sali Bundo, i cili vuante dënimin në këtë institucion që prej 6 gushtit 2021, pas transferimit nga Institucioni “Jordan Misja”. Ai ishte dënuar me 10 vite burg për vepra penale që lidhen me ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve dhe mashtrim, ndërsa i kishin mbetur edhe rreth 5 vite për të vuajtur.
Raportohet se i ndjeri kishte një histori të rënduar shëndetësore, duke vuajtur nga disa sëmundje, përfshirë hipertension arterial, diabet, çrregullime të ankthit dhe probleme të tjera kronike.
Mëngjesin e 22 prillit 2026, ai është evidentuar me shqetësime shëndetësore në ambientet e burgut, ku fillimisht i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe më pas është transportuar me urgjencë drejt Spitali Rajonal Fier. Sipas burimeve, i burgosuri ka mbërritur në spital me puls, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 08:20 është konstatuar vdekja.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë arrest kardiak, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në morg për ekzaminime të mëtejshme.
Autoritetet bëjnë me dije se pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






