Transmetuar më 22-04-2026, 10:20

Tragjedi gjatë natës në Catanzaro të Italisë. Një grua dhe dy fëmijë të vegjël, një 4 vjeç dhe një foshnjë 4 muajshe, humbën jetën, ndërsa një vajzë tjetër 5 vjeç e gjysmë ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacion, pasi nëna u hodh nga dritarja duke i mbajtur në krahë të tre fëmijët.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lagje periferike të qytetit. Gruaja, 46-vjeçarja Anna Democrito, e cila punonte si operatore shëndetësore në një strukturë kujdesi për të moshuarit, i kishte zgjuar fëmijët gjatë natës, i kishte veshur me rroba festive dhe më pas i kishte marrë në krahë para se të hidhej nga kati i tretë.

Si pasojë e rënies, ajo dhe dy djemtë e saj, 4 muajsh dhe 4 vjeç, ndërruan jetë në vend. Vajza tjetër, 5 vjeç e gjysmë, mbijetoi, por ndodhet në gjendje kritike në spitalin e qytetit.

Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, shërbimi i urgjencës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore të Universitetit “Magna Grecia”. Hetimet po drejtohen nga prokurorja e gatshme, Graziella Viscomi.

Shkaqet e këtij veprimi ekstrem nuk janë ende të qarta. Sipas të dhënave paraprake të policisë, dyshohet se gruaja vuante nga probleme të lehta psikike.

Fqinjët e përshkruajnë si një person të qetë, të rezervuar dhe shumë fetar.

Në momentin e ngjarjes në banesë ndodhej edhe bashkëshorti i saj, i cili u zgjua nga zhurmat. Sapo kuptoi çfarë kishte ndodhur, ai doli me vrap në rrugë dhe u përpoq t’i ndihmonte fëmijët përpara mbërritjes së urgjencës, por ishte tepër vonë për dy prej tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit