Transmetuar më 22-04-2026, 09:38

TIRANË, 22 prill 2026 – Policia e Tiranës ka zbardhur detaje nga operacioni antidrogë i koduar “Final”, i cili çoi në goditjen e disa grupeve kriminale të përfshira në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, pas rreth tre muajsh hetime intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, janë identifikuar në total 36 persona, të cilët vepronin të organizuar ose individualisht në shitjen e drogave të forta dhe të lehta.

Autoritetet bëjnë me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” për 15 shtetas, ndërsa vijon puna për kapjen e 16 të tjerëve të shpallur në kërkim. Ndërkohë, 5 persona të tjerë janë arrestuar gjatë periudhës hetimore.

Të arrestuarit janë: Arsen Shahollari, Ilir Baruti, Visar Alla, Xhemal Gjoka (i njohur si “Boja”), Jurgent Ibrahimi, Ermond Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli.

Gjatë operacionit dhe kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme, përfshirë 60.3 kilogramë kanabis, 2.05 kilogramë kokainë, katër armë (një pistoletë dhe tre armë gjahu), si dhe shuma të mëdha parash: 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5 mijë paundë. Gjithashtu janë sekuestruar 14 telefona celularë, peshore elektronike dhe tre automjete.

Sipas Policisë, hetimet janë bazuar në përgjime dhe analiza të komunikimeve, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të grupeve të përfshira.

Operacioni vijon, ndërsa strukturat ligjzbatuese po punojnë për kapjen e personave në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit të shpërndarjes së drogës në kryeqytet.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet pas 3 muajsh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Final”. Goditen disa grupe që shitnin lëndë narkotike.

Identifikohen 36 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shitnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme. Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 pjesëtarë të grupit. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 16 të tjerëve. 5 shtetas janë vënë në pranga gjatë periudhës hetimore.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Si rezultat i punës hetimore intensive të kryer gjatë 3 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar operacioni i koduar “Final”, për goditjen e disa grupeve që shitnin lëndë narkotike. Gjatë operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale, konkretisht:

-A. Sh., 31 vjeç; I. B., 66 vjeç; V. A., 29 vjeç; Xh. Gj(B)., 26 vjeç; J. I., 28 vjeç; E. O., 47 vjeç; A. Ç., 42 vjeç; A. G., 41 vjeç; K. N., 26 vjeç; A. C., 21 vjeç; S. D., 32 vjeç; E. M., 29 vjeç; E. H., 25 vjeç; E. I., 30 vjeç; G. H., 37 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, gjatë periudhës hetimoe dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë, janë gjetur dhe sekuestruar: 60 kg e 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete.

Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar dhe arrestuar shtetasit: A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C.. 16 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit