

Irani ka qëlluar ndaj një anijeje kontejnerësh në Ngushticën e Hormuzit të mërkurën, duke e dëmtuar atë dhe duke vështirësuar përpjekjet diplomatike për të sjellë Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në një tryezë bisedimesh në Pakistan për t’i dhënë fund luftës.
Sulmi i mëngjesit u krye nga Garda Revolucionare paraushtarake iraniane dhe erdhi menjëherë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA do ta zgjasë pa afat armëpushimin me Iranin, i cili pritej të përfundonte po atë ditë. Sipas Trump, kjo shtyrje synon t’i japë kohë Teheranit të paraqesë një “propozim të unifikuar” përpara negociatave të mundshme.
Deri tani, Irani nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar për vendimin e Trump për zgjatjen e armëpushimit.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, falënderoi presidentin amerikan për këtë vendim, duke theksuar se ai do të krijojë hapësirë për përpjekjet diplomatike në zhvillim. Në një reagim publik, ai deklaroi se Pakistani do të vazhdojë të angazhohet seriozisht për të arritur një zgjidhje të negociuar të konfliktit.
Ndërkohë, Trump konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bllokadën ndaj porteve iraniane, një masë që Teherani e ka cilësuar si të papranueshme dhe që sipas tij është një nga arsyet pse nuk ka pranuar ende të marrë pjesë në bisedimet në Islamabad.
Garda Revolucionare iraniane reagoi ashpër, duke paralajmëruar se do të godasë objektivat e mbetura të kundërshtarëve në rajon me intensitet që “shkon përtej imagjinatës”.
Sipas autoriteteve iraniane, anija e sulmuar kishte injoruar paralajmërimet para se të qëllohej. Megjithatë, Qendra Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare, e cila monitoron incidentet në det, deklaroi se një anije e Gardës Revolucionare hapi zjarr pa bërë thirrje paraprake dhe se nga sulmi nuk pati të lënduar.
Nga ana tjetër, media iraniane Nour News raportoi se forcat iraniane hapën zjarr vetëm pasi anija nuk iu bind paralajmërimeve të tyre. Ndërsa agjencia gjysmëzyrtare Fars e përshkroi ndërhyrjen si një veprim ligjor për zbatimin e kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Ky incident vjen pas zhvillimeve të fundit në rajon, ku SHBA sekuestruan një anije iraniane kontejnerësh gjatë fundjavës, pasi hapën zjarr ndaj saj, si dhe ndaluan një cisternë nafte të lidhur me tregtinë iraniane në Oqeanin Indian.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës në kohë paqeje kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror global. Kjo rrugë lidh Gjirin Persik me oqeanet e hapura dhe ka qenë plotësisht funksionale deri më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit, duke nisur konfliktin aktual.
Që prej asaj kohe, Irani ka kufizuar ndjeshëm trafikun detar në këtë ngushticë, duke shkaktuar rritje të fortë të çmimeve të energjisë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt ekonominë globale.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent, standardi global, u tregtua të mërkurën në mëngjes pranë nivelit prej 98 dollarësh për fuçi, me një rritje prej më shumë se 30% që nga fillimi i konfliktit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






