

Shqipëria po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve të reja me HIV, duke sinjalizuar një rikthim në nivelet më të larta të dekadës së fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, deri në muajin tetor 2025 janë regjistruar 125 raste të reja, shifra më e lartë që nga viti 2016.
Që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1993, numri total i personave të prekur në vend ka arritur në 1,973 raste.
Studimi evidenton se përhapja e infeksionit mbetet e përqendruar kryesisht në zonat urbane, ku densiteti i popullsisë dhe lëvizshmëria janë më të larta. Pothuajse gjysma e rasteve janë regjistruar në Tiranë.
Pas kryeqytetit, qytetet me përqindjen më të lartë të rasteve janë Durrës me 7.8%, Elbasan me 7.1%, ndërsa Shkodër dhe Vlorë ndjekin me përqindje më të ulëta.
Në qytete të tjera si Lushnjë, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Sarandë, incidenca varion nga 2% në 3%.
Ekspertët theksojnë se numrat më të ulët në rrethe mund të lidhen me mungesën e aksesit në testim si dhe me stigmatizimin, i cili pengon individët të kërkojnë diagnozë.
Raporti tregon se HIV prek kryesisht grupmoshat më aktive. Incidenca më e lartë regjistrohet në moshat 25–29 vjeç, me 24 raste për 100,000 banorë. Ndërkohë, raporti gjinor mbetet i lartë, me rreth 3.5 meshkuj për çdo një femër të diagnostikuar. Tek femrat, rreziku shfaqet më i lartë në grupmoshën 40–49 vjeç.
Sa i përket mënyrës së transmetimit, marrëdhëniet seksuale të pambrojtura mbeten rruga kryesore e përhapjes. Transmetimi heteroseksual përbën 87% të rasteve për vitin 2025.
Ndërkohë, meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj konsiderohen grup me rrezik të lartë, megjithëse specialistët paralajmërojnë për nënraportim për shkak të stigmës sociale.
Në vitin 2025 është regjistruar edhe një rast i transmetimit nga nëna tek fëmija, çka nënvizon rëndësinë e testimit gjatë shtatzënisë.
Një nga sfidat më të mëdha mbetet diagnostikimi i vonë. Sipas Instituti i Shëndetit Publik, rreth 34% e rasteve të reja janë zbuluar në stadin e avancuar të AIDS, duke kufizuar mundësinë për trajtim të hershëm dhe efektiv.
Deri në fund të tetorit janë kryer rreth 60,000 testime në nivel kombëtar, por shumica e tyre vijnë si rezultat i referimeve mjekësore dhe jo testimeve vullnetare.
Autoritetet shëndetësore ofrojnë testim falas dhe konfidencial në strukturat publike, përfshirë QSUT dhe njësitë vendore të shëndetit publik në të gjithë vendin.
Ekspertët bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe testimit të hershëm, duke theksuar se njohja e statusit shëndetësor është thelbësore si për trajtimin individual, ashtu edhe për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






