Transmetuar më 21-04-2026, 22:35

Një situatë paprecedentë është regjistruar seancën e sotme parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku Fatos Geci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili është ende në pritje të një vendimi nga gjykata e Hagës.

Ai tha se Hashim Thaçin “do ta ndjekë fati i Naim Murselit”, i cili kujtojmë se u dënua sot me burgim të përjetshëm.

“Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli. Dhe ju (duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së) që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përball Albin Kurtit”, deklaroi Geci .

Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi të papranueshme gjuhën e përdorur në foltoren e Kuvendit.

“Nuk kisha besuar kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, tha Çitaku, teksa i bëri thirrje “Vetvendosjes” të distancohet nga deklarata e deputetit të saj, raportojnë mediat vendase.

Në përgjigje të kësaj, kryedeputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, theksoi qëndrimin e partisë për luftën çlirimtare, duke e cilësuar atë “të drejtë dhe të pastër”: “Në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK qëndrimet tona janë publike, të qarta dhe qëndrojmë pas tyre. Lufta ka qenë e drejtë, e pastër dhe respektojmë përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë e vendit."

Ndërsa edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është distancuar nga kjo deklaratë duke theksuar se ajo nuk përfaqëson as qëndrimin e saj personal as atë të Kuvendit dhe LVV-së. Një reagim është bërë edhe nga një tjetër deputet i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, i cili është shprehur se është ndjerë i turpëruar prej Gecit.

“Unë ndihem i turpëruar nga deklarata e deputetit Geci! Lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare! UÇK është vlera më e lartë e kombit tonë!” u shpreh Durmishi.

Kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në gjykimin e tyre në Gjykatën Speciale, në shkurt.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit