Transmetuar më 21-04-2026, 19:50

ATHINË, 21 prill 2026 – Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Athinë, ku pritet të zhvillojë një sërë takimesh në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Sipas agjendës, kreu i qeverisë shqiptare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, pritet të marrë pjesë në një darkë në rezidencën e ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle. Mes tyre raportohet të ekzistojë një marrëdhënie e konsoliduar miqësore, e ndërtuar përmes vizitave të ndërsjella në Tiranë dhe Athinë.

Vizita e Ramës në Greqi zhvillohet me ftesë të Forumi Ekonomik i Delphit, një platformë ndërkombëtare që mbledh çdo vit liderë politikë, përfaqësues të biznesit dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar sfidat globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri shqiptar pritet të zhvillojë edhe një takim me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Bisedimet do të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e punës për hartimin e një dokumenti të ri të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Gjithashtu, gjatë punimeve të forumit, pritet të nënshkruhet një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Korporata Shqiptare e Investimeve dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A., duke synuar rritjen e bashkëpunimit në fushën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit