

Tepelenë – Dalin detaje të reja nga incidenti i rëndë ku dy persona mbetën të plagosur pas shpërthimit të një mjeti të dyshuar shpërthyes.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në fshatin Majkosh, ku një granatë e pashpërthyer që ndodhej brenda një kasolleje ka shpërthyer në momentin kur është prekur.
Të plagosurit janë Xhulio Salaj, 28 vjeç dhe Lisien Shehu, 34 vjeç. Ata kanë pësuar dëmtime të rënda në trup dhe probleme serioze në sy si pasojë e shpërthimit.
Fillimisht, të dy janë transportuar në spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastër, por për shkak të gjendjes së rënduar janë dërguar me urgjencë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Burime bëjnë me dije se gjendja e tyre paraqitet kritike, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar origjinën e mjetit shpërthyes.
Çfarë tha policia
Rreth orës 13:40, janë dërguar në spital shtetasit Xh. S., rreth 28 vjeç, banues në fshatin Mamaj, dhe L. Sh., rreth 36 vjeç, banues në Memaliaj (shokë me njëri-tjetrin), të cilët dyshohet paraprakisht se janë dëmtuar aksidentalisht nga shpërthimi i një lënde plasëse të papërcaktuar, në një ambient ngjitur me banesën e shtetasit P. S, (babai i shtetasit Xh. S.), në fshatin Mamaj.
Dy të rinjtë janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e llojit të lëndës plasëse, zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






