Transmetuar më 21-04-2026, 15:17

Abu Dhabi / Tiranë – Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, ku përveç takimit me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, u takua edhe me drejtuesin ekzekutiv të kompanisë G42, Peng Xiao.

Takimi ka tërhequr vëmendje pasi lidhet me projektin “Smart City”, një investim prej 118.5 milionë dollarësh për instalimin e kamerave inteligjente në Shqipëri, i cili do të zbatohet nga kompania Presight AI.

Në delegacionin shqiptar që mori pjesë në takim përfshiheshin edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, deputeti Ulsi Manja dhe zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, ky i fundit edhe zyrtari që ka firmosur marrëveshjen me kompaninë nga Emiratet.

Sipas një reagimi për BIRN, Këshilli i Ministrave bëri të ditur se takimi kishte si qëllim “eksplorimin dhe diskutimin e mundësive dhe potencialit të bashkëpunimit”.

Projekti “Smart City” parashikon vendosjen e mijëra kamerave në hapësira publike, përfshirë rrugë, shkolla dhe pika kufitare, me qëllim monitorimin e sigurisë dhe trafikut. Ai është shpallur projekt me rëndësi kombëtare nga qeveria shqiptare.

Fillimisht, kostoja e projektit ishte parashikuar rreth 60 milionë dollarë, por më pas ajo është rritur në 118.5 milionë dollarë, ndërsa financimi pritet të sigurohet përmes një huaje nga një fond zhvillimi i Abu Dhabit.

Ndërkohë, projekti ka ngjallur debat publik dhe kritikë nga ekspertë të të drejtave digjitale, të cilët kanë ngritur shqetësime mbi ndikimin e tij në privatësinë e qytetarëve, për shkak të nivelit të lartë të mbikëqyrjes në hapësirat publike.

Gjithashtu, kompania zbatuese është përballur me shqyrtime ndërkombëtare lidhur me lidhjet e saj të mundshme me kompani kineze, çka ka shtuar vëmendjen mbi këtë investim. Burimi: BIRN

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit