Transmetuar më 21-04-2026, 15:13

Prishtinë, 21 prill 2026 – Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se oferta e bërë ndaj partive opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri është “shumë gjeneroze”, por sipas tij, mungon vullneti për të zhbllokuar procesin.

Deklarata vjen një ditë pasi takimi mes LVV-së dhe LDK-së përfundoi pa marrëveshje. Deputetët kanë afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kurti bëri të ditur se i kishte ofruar Lumir Abdixhiku postin e zëvendëskryeministrit, drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe disa poste të tjera ministrore. Ai theksoi gjithashtu se një ofertë i ishte bërë edhe Bedri Hamza për postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të një marrëveshjeje politike.

“Oferta jonë është shumë gjeneroze, por nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë procesin. Po sillen sikur të ishte ende viti 2025, ndërkohë që tashmë jemi në një realitet tjetër politik”, u shpreh Kurti.

Nga ana tjetër, Abdixhiku deklaroi pas takimit se nuk do të vijojë më negociatat me Kurtin, duke theksuar se do të fokusohet në forcimin e partisë së tij dhe bashkimin e spektrit të djathtë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash, por me kushtin që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Aktualisht, asnjë parti nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur e vetme kreun e shtetit.

Ngërçi politik për zgjedhjen e presidentit vijon prej javësh, ndërsa përpjekjet e mëparshme kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes palëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit