Transmetuar më 21-04-2026, 15:08

Tiranë, 21 prill 2026 – Një video e shpërndarë në rrjetet sociale, ku shfaqeshin dy gra të mbuluara duke komunikuar me të mitur, ka nxitur reagimin e Policisë së Shtetit dhe nisjen e verifikimeve zyrtare.

Sipas autoriteteve, dy gratë u identifikuan dhe u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë gjatë paradites së së martës, për kryerjen e veprimeve procedurale. Nga hetimet paraprake rezulton se ato janë shtetase iraniane, të pajisura me leje qëndrimi në Shqipëri për arsye humanitare, si pjesë e kampit të Muxhahedinëve në Manzë.

Policia bën me dije se, pas verifikimeve të kryera deri më tani, nuk është konstatuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana e tyre ndaj të miturve.

“Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer shkelje ligjore. Garantojmë qytetarët se nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve në këtë rast”, thuhet në reagimin zyrtar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim të mëtejshëm.

Rasti vjen në një kohë kur përmbajtjet në rrjetet sociale shpesh nxisin reagime të shpejta publike, duke bërë të nevojshëm verifikimin institucional të çdo pretendimi që lidhet me sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të të miturve. Reagim i Policisë së Shtetit:

"Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.

Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.

Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.

Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.",njofton policia./

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit