

TIRANË – Faza “Final Four” në Kategoria Superiore po afrohet, ndërsa pas javës së 32-të janë përcaktuar dy skuadrat e para që kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen. Vllaznia i bashkohet edhe Elbasani, që ka prerë biletën për në mini-turneun final.
Sipas rregullores së garës, katër ekipet e para në përfundim të sezonit të rregullt kalojnë në fazën “Final Four”, duke marrë me vete gjysmën e pikëve të grumbulluara, të rrumbullakosura sipas vlerës më të ulët. Ky mekanizëm ndikon drejtpërdrejt në renditjen fillestare të kësaj faze.
Në këtë kontekst, Elbasani, që aktualisht numëron 59 pikë, do ta nisë “Final Four” me 29 pikë, duke humbur një pikë në procesin e përgjysmimit. Ndërkohë, Dinamo është skuadra tjetër që penalizohet nga kjo formulë, pasi nga 45 pikë zbret në 22.
Me situatën aktuale, renditja e mundshme për fazën finale paraqitet si më poshtë:
Vllaznia – 30 pikë Elbasani – 29 pikë Egnatia – 27 pikë Dinamo – 22 pikë
Në këto kushte, Dinamo mbetet në garë për titull vetëm në aspektin matematikor. Diferenca me rivalët e bën shumë të vështirë përmbysjen, duke e kthyer mundësinë për titull në një skenar thuajse të pamundur.
Kalendari i “Final Four” (situata aktuale):
Java 1
Vllaznia – Dinamo (16 maj, ora 19:00, Air Albania Stadium) Elbasani – Egnatia (17 maj, ora 19:00, Air Albania Stadium)
Java 2
Vllaznia – Egnatia (23 maj, ora 19:00, Air Albania Stadium) Elbasani – Dinamo (24 maj, ora 19:00, Air Albania Stadium)
Java 3
Vllaznia – Elbasani (29 maj, ora 19:00, Air Albania Stadium) Egnatia – Dinamo (31 maj, ora 19:00, Air Albania Stadium)
Faza finale pritet të përcaktojë kampionin e sezonit, në një format që premton rivalitet të fortë, edhe pse diferencat aktuale favorizojnë kryesisht Vllazninë dhe Elbasanin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






