

Qeveria shqiptare ka vendosur të shtyjë afatet për zbatimin e projektit prej 1.4 miliardë eurosh për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, duke argumentuar se kompleksiteti teknik, ligjor dhe infrastrukturor ka ngadalësuar ecurinë e planit fillestar.
Vendimi i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në fund të vitit 2025 rishikon disa prej afateve kryesore të përcaktuara në vendimin e vitit 2024, përmes të cilit projekti fitoi statusin e investimit strategjik. Institucionet pranojnë se plani i veprimit nuk është realizuar brenda afateve të parashikuara, për shkak të natyrës komplekse të projektit dhe nevojës për koordinim ndërinstitucional, si dhe me investitorin amerikan Atlantic Incubation Partners LLC.
Ndryshimet prekin drejtpërdrejt fazën e negocimit dhe përgatitjes së projektit. Afati për dorëzimin e dokumentacionit nga investitori është zgjatur nga 60 në 90 ditë, ndërsa periudha për negociimin e marrëveshjes është rritur në 120 ditë, me mundësi shtyrjeje edhe për një afat shtesë prej 120 ditësh.
Paralelisht, janë rishikuar edhe detyrimet e institucioneve shtetërore. Ministria e Ekonomisë do të ketë më shumë kohë për procesin e konsolidimit të pronës dhe transferimin e aseteve tek Korporata Shqiptare e Investimeve. Po ashtu, janë përshtatur afatet për përcaktimin e kushteve për zhvillimin e marinës turistike dhe përfshirjen e plazheve në listën zyrtare.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me kostot për pastrimin e zonës nga rreziku piroteknik. Ndryshe nga parashikimi fillestar, ku këto shpenzime do të mbuloheshin nga investitori, tashmë kjo përgjegjësi i kalon Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas dokumentit zyrtar, ndërkohë është shënuar përparim në disa drejtime. Palët kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi dhe janë zhvilluar 10 raunde negociatash, ndërsa është siguruar edhe ekspertizë për mbrojtjen e interesave shtetërore. Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar inventarizimin e aseteve, ka identifikuar kostot për pastrimin e zonës dhe është realizuar procesi i regjistrimit të pronave.
Projekti për zhvillimin e ishullit të Sazanit parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me marina, hotele, rezidenca dhe shërbime të tjera, në një sipërfaqe prej rreth 45 hektarësh. Ishulli, i vendosur në Vlorë dhe aktualisht nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, përfshin gjithashtu zona të mbrojtura detare dhe natyrore.
Investimi është propozuar nga kompania amerikane Atlantic Incubation Partners LLC dhe po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet shqiptare, përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe Albanian Seaports Development Company, duke mbajtur statusin e investimit strategjik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






