Transmetuar më 20-04-2026, 16:01

Zhvillimi i Inteligjenca Artificiale po riformëson tregun e punës në Shqipëri, duke ekspozuar më shumë punonjësit e kualifikuar ndaj automatizimit. Një studim i publikuar nga Fondacioni Evropian i Trajnimit (ETF) thekson se vendet me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë më të prekura nga efektet e teknologjive të IA.

Raporti vëren se ndryshe nga revolucionet e mëparshme, që prekën kryesisht punët manuale, IA po ndikon gjithnjë e më shumë profesionet që kërkojnë arsim të lartë dhe aftësi njohëse. Sektorët e shërbimeve, administrata dhe punët e zyrave në vend pritet të përjetojnë transformime të ndjeshme.

Sipas studimit, IA zhvendos detyrat rutinë dhe rrit produktivitetin, por njëkohësisht krijon rrezik për thellimin e pabarazive nëse mungojnë politika të përshtatshme. Punonjësit e rinj dhe me aftësi digjitale pritet të përfitojnë më shumë, ndërsa ata me kualifikim më të ulët ose në moshë më të madhe përballen me rritje të presionit në punë dhe ulje të autonomisë.

Raporti ngre shqetësimin se pa investime në ri-kualifikim dhe zhvillim aftësish, përfitimet e IA mund të përqendrohen në një grup të kufizuar. Një tjetër efekt i mundshëm është vështirësimi i hyrjes në tregun e punës për të diplomuarit e rinj, pasi teknologjia kryen gjithnjë e më shumë detyra bazë analitike.

Në të njëjtën kohë, studimi evidenton se IA mund të krijojë mundësi të reja, duke u dhënë punonjësve më pak të përvojë mundësinë të kryejnë detyra më komplekse. Përhapja e menaxhimit algoritmik, ndërkohë, pritet të rrisë nivelin e monitorimit dhe presionin në vendin e punës.

Fondacioni Evropian i Trajnimit thekson se suksesi i Shqipërisë në këtë tranzicion do të varet nga politikat që ndërmerren, duke rekomanduar investime në arsim digjital dhe zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit