

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është tërhequr nga bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se nuk është arritur pajtueshmëri me Lëvizja Vetëvendosje (LVV), duke bërë që diskutimet të konsiderohen të përfunduara.
Sipas tij, një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes ka qenë këmbëngulja e kryeministrit Albin Kurti që posti i presidentit t’i takojë Vetëvendosjes.
“Do të bëhemi gati për skenarin më të rëndë, atë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i qeverisë. Nuk mund të ketë një qeveri që kontrollon të tre institucionet,” u shpreh Abdixhiku pas takimit.
Ai shtoi se LDK ka refuzuar edhe mundësinë e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me LVV-në, duke theksuar se partia e tij ka mbajtur qëndrime parimore gjatë gjithë procesit.
Sipas Abdixhikut, gjatë diskutimeve nuk është propozuar asnjë emër tjetër përveç Glauk Konjufca, çka sipas tij tregon mungesë fleksibiliteti nga pala tjetër.
Me dështimin e këtyre bisedimeve, vendi mund të përballet me zhvillime të reja politike, përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






