

Detaje të reja nga tragjedia shqiptare në Itali, del shënimi i autorit dhe si u zbuluan viktimat
Dalëngadalë po zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Astit në Itali, ku një shtetas shqiptar dyshohet se vrau ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj, përpara se t’i japë fund jetës.
Sipas informacioneve të fundit, 59-vjeçari Astrit Koni kishte lënë një shënim drejtuar ish-gruas së tij, Drita Mecollari, i cili tashmë konsiderohet një element kyç për hetimin. “Më shkatërrove jetën për 15 vitet e fundit, por tani mbaroi”, shkruhej në mesazhin e gjetur nga autoritetet.
Trupi i Konit u gjet fillimisht në rrëzë të kullës së Kështjellës së Cossombratos, ku ai punonte si kopshtar dhe kishte akses. Vetëm më pas, pas kërkimeve, u zbuluan edhe trupat e dy viktimave në një hendek pranë hyrjes së fshatit, në afërsi të një fushe me koshere bletësh, rreth dy kilometra larg.
Zbulimi i tyre u bë nga vëllai i gruas, i cili kishte ngritur alarmin pasi ajo nuk i ishte përgjigjur telefonatave për më shumë se 24 orë. Sipas hetimeve paraprake, viktimat janë goditur me një mjet bujqësor, i cili u gjet pranë trupave.
Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me xhelozinë e autorit, i cili nuk kishte pranuar ndarjen dhe faktin që ish-bashkëshortja kishte nisur një jetë të re. Çifti jetonte pjesën më të madhe të kohës në Milano, por kthehej shpesh në zonë për t’u kujdesur për kosheret e bletëve.
Autoritetet italiane, nën drejtimin e prokurorit Alessandro Giai, kanë urdhëruar autopsinë e tre trupave dhe po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, familja e viktimave po përballet me një situatë të rëndë, pasi vajza e çiftit mësoi për vrasjen e nënës vetëm pasi kishte mbërritur për të identifikuar trupin e të atit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






