Transmetuar më 20-04-2026, 10:52

Infiltrimi i agjentëve policorë, kinse donin pasaportë të BE që lëshohet dhe nga Bullgaria, çoi në operacionin e koduar “Identiteti” në Dibër. Arrestohet një shqiptar, aktualisht shtetas bullgar dhe procedohen dy administratorë për falsifikim dokumentesh

Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Identiteti”, pas një hetimi rreth njëmujor të zhvilluar me metoda speciale, duke goditur një rast të falsifikimit të dokumenteve me qëllim pajisjen e shtetasve me pasaporta bullgare. Agjentët policorë u infiltruar duke u shitur si të interesuar për pasaporta bullgare që të mundësojnë të jetosh lirshëm në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të operacionit, në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë u ndalua shtetasi bullgar Eduart Tola, 49 vjeç, banues në Sofje. Gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara, që i përkisnin 21 shtetasve të ndryshëm. Dyshohet se këto dokumente do të përdoreshin për pajisjen e tyre me pasaporta të shtetit bullgar.

Nga hetimet rezultoi se disa persona falsifikonin dokumente të gjendjes civile, duke i paraqitur individët si banorë të njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë, për të përfituar më pas dokumentacion për shtetësi bullgare.

Në vijim të veprimeve, Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj dy zyrtarëve lokalë: Ndriçim Sula 53 vjeç, administrator aktual i njësisë administrative Ostren, dhe Bajram Mata, 62 vjeç, ish-administrator i kësaj njësie.

Ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, pasi gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre kanë lëshuar dokumente në kundërshtim me ligjin.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj skeme dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit