Transmetuar më 20-04-2026, 10:19

Tiranë – Fundi i muajit prill do të karakterizohet nga një mot i paqëndrueshëm në të gjithë vendin, me ulje temperaturash dhe reshje shiu të herëpashershme.

Meteorologia Lajda Porja nga MeteoAlb bëri të ditur se ditët në vijim do të shoqërohen me vranësira dhe reshje të përkohshme shiu, duke theksuar se fundjava nuk do të jetë e përshtatshme për aktivitete plazhi.

Java do të nisë me kthjellime të pjesshme, por gjatë pasditeve pritet shtim i vranësirave dhe reshje shiu në zonat bregdetare dhe ato të ulëta perëndimore. Nuk përjashtohen rrebeshe të izoluara në zonat malore.

Pika më e theksuar e këtij ndryshimi pritet të jetë dita e enjte, kur temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme. Në zonat malore verilindore, termometri mund të zbresë deri në 0 ose -1 gradë Celsius, duke sjellë rrezik për ngrica, veçanërisht në sektorin bujqësor në veri dhe juglindje të vendit. Reshjet e dëborës priten vetëm në majat më të larta malore.

Sipas parashikimeve, ky mot i paqëndrueshëm do të vijojë deri në fund të prillit, me alternime mes kthjellimeve dhe reshjeve.

Megjithatë, ndryshimi i madh i motit pritet në fillim të muajit maj. Që nga data 2 maj, parashikohet një rritje e menjëhershme dhe e ndjeshme e temperaturave, duke sjellë kushte tipike verore në vend. Sipas meteorologëve, 10-ditëshi i parë i majit do të karakterizohet nga temperatura dukshëm mbi normat sezonale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit