

Durrës – Një 32-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur pa leje, në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes në lagjen nr. 18, shërbimet e policisë ndaluan një automjet me drejtues shtetasin me iniciale E. K. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet në një çantë marsup një armë zjarri pistoletë, të cilën e posedonte pa leje.
Kontrollet e mëtejshme në banesën e tij çuan në zbulimin e një sasie municioni luftarak, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 32-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i tij për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






