

Sandakan, Malajzi – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një fshat lundrues në qytetin bregdetar të Sandakan, duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe duke lënë mijëra persona pa strehë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Bernama, rreth 1,000 nga afro 1,200 banesa në fshatin Kampung Bahagia u shkatërruan nga flakët gjatë orëve të para të së dielës.
Raportohet se mbi 9,000 banorë janë evakuuar dhe aktualisht janë strehuar në qendra të përkohshme, ndërsa autoritetet vijojnë operacionet e ndihmës dhe vlerësimit të dëmeve.
Shefi i Stacionit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Sandakan, Jimmy Lagung, deklaroi se zjarri përfshiu një sipërfaqe prej më shumë se katër hektarësh. Ai theksoi se kushtet e baticës së ulët vështirësuan furnizimin me ujë për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, u shpreh i tronditur nga ngjarja, duke konfirmuar se qeveria federale dhe ajo e shtetit Sabah kanë koordinuar ofrimin e ndihmës emergjente dhe strehimit për të prekurit.
Autoritetet bëjnë me dije se zjarrfikësit ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit në orën 01:32 të mëngjesit, ndërsa zona u shpall gjendje fatkeqësie disa orë më vonë.
Operacioni i shuarjes përfundoi rreth mesditës së së dielës dhe, fatmirësisht, nuk janë raportuar viktima në njerëz. Megjithatë, sipas kreut të Komitetit të Menaxhimit të Fatkeqësive në Sandakan, Walter Kenson, shumica e banesave të prekura nuk janë më të banueshme.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






