Transmetuar më 20-04-2026, 07:54

Një rritje e ndjeshme e importeve nga Gjermania ka sjellë një ulje të fortë të çmimit të patates në tregun shqiptar, duke lehtësuar kostot për konsumatorët, por duke vënë në vështirësi prodhuesit vendas.

Në tregjet me pakicë, një kilogram patate po tregtohet aktualisht rreth 60 lekë, nga mbi 100 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, çmimi mesatar në shkurt 2026 arriti në 77.9 lekë për kilogram, rreth 22% më i ulët krahasuar me vitin 2025.

Zhvillimi lidhet drejtpërdrejt me rritjen e importeve të grupit “zarzavatet e ngrënshme dhe rrënjët tuberoze”, ku patatja zë peshën kryesore. Gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, importet e patates u rritën me 65.5%, duke kaluar 5 milionë kilogramë. Çmimi i importit, rreth 49.9 lekë për kilogram, ka ushtruar presion të fortë në uljen e çmimeve në tregun vendas.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se çmimi për njësi i patates së importuar ka pësuar rënie të vazhdueshme, nga 67.79 lekë në vitin 2024 në më pak se 50 lekë në vitin 2026, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë konkurrencën për prodhuesit vendas.

Sipas FAOSTAT, konsumi mesatar i patates në Shqipëri është rreth 52 kilogramë për frymë në vit, më i ulët se mesatarja e Bashkimi Evropian, e cila kalon 80 kilogramë, por gjithsesi mbetet një produkt bazë në shportën ushqimore.

Rritja e importeve lidhet me mbiprodhimin në Gjermani. Prodhimi për vitin 2025 arriti rreth 13.9 milionë tonë, një rritje prej 9% krahasuar me vitin pararendës dhe ndër nivelet më të larta të 25 viteve të fundit. Kushtet e favorshme klimatike dhe rendimenti i lartë kanë krijuar teprica të mëdha në treg.

Si pasojë, çmimet në tregjet evropiane ranë ndjeshëm dhe fermerët gjermanë u përballën me stok të tepërt, që në disa raste u shpërnda falas, u përdor për ushqim kafshësh ose për prodhim bio-energie. Në këtë kontekst, eksportet drejt rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, janë rritur ndjeshëm.

Kjo situatë po krijon një balancë të re në treg: ndërsa konsumatorët përfitojnë nga çmimet më të ulëta, prodhimi vendas përballet me konkurrencë të fortë për shkak të kostove më të larta dhe mungesës së mbështetjes së krahasueshme financiare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit